Raportet nga Italia thonë se Juventus po shqyrton mundësinë për t’i ofruar një rol trajneri legjendës së klubit dhe ish-kapitenit Leonardo Bonucci, pas një takimi mes tij dhe mikut të vjetër e ish-bashkëlojtarit Giorgio Chiellini, i cili gjithashtu pritet të marrë një rol të ri në stadiumin Allianz.
Sipas raportimeve nga “Tuttosport” dhe “Calciomercato.com”, Juventus po mendon të emërojë Bonuccin në një rol trajneri brenda klubit, ndoshta si trajner i skuadrës së të rinjve, ose edhe si pjesë e stafit teknik të ekipit të parë – në varësi të trajnerit të ardhshëm që do të emërohet në mënyrë të përhershme.
Raportet e së premtes theksojnë se një rikthim i Bonuccit në Juventus u diskutua gjatë një darke në Romë këtë javë mes tij, Chiellinit dhe drejtorit sportiv Cristiano Giuntoli.
“Tuttosport” pohon se një rol trajneri për Bonuccin në Continassa është një “mundësi gjithnjë e më reale”.
Bonucci ka nisur të ndjekë kursin për licencat e trajnerit që nga momenti kur u tërhoq nga futbolli në fund të sezonit 2023-24 dhe aktualisht po punon si ndihmës trajner i kombëtares U20 të Italisë nën drejtimin e Bernardo Corradit që nga tetori.
Ndërkohë, edhe Chiellini pritet të marrë një rol të ri brenda strukturës së klubit bardhezi.
Këtë javë u raportua se drejtori Francesco Calvo ka dhënë dorëheqjen dhe pritet të bëhet CEO i klubit anglez Aston Villa. Chiellini, i cili është rikthyer në Juventus si Shef i Marrëdhënieve Institucionale të Futbollit, pritet të marrë një pjesë të detyrave të Calvos në marrëdhëniet me FIGC dhe ECA. Më tej besohet se atij do t’i ofrohet një rol i ri me një titull të ri në të ardhmen e afërt.