string(49) "eseja-e-javes-ozick-isaac-babel-lermeni-ta-mbaroj"

Arte

Gazeta Express

16/05/2025 16:51

Eseja e javës/ Ozick: Isaac Babel: “Lërmeni ta mbaroj”

Arte

Gazeta Express

16/05/2025 16:51

Cynthia Ozick (1928), romanciere, tregimtare dhe eseiste amerikane. Më 1971 i ishte ndarë Edward Lewis Wallant Award dhe National Jewish Book Award për përmbledhjen me tregime ‘The Pagan Rabbi and Other Stories’. Më 1977 The National Jewish Book Award for Fiction për përmbledhjen ‘Bloodshed and Three Novellas’. Më 1977 mori Diamonstein-Spielvogel Award for the Art of the Essay për përmbledhjen me ese ‘Fame and Folly’. Më 2000 fitoi National Book Critics Circle Award për përmbledhjen eseistike ‘Quarrel & Quandary. Më 2008, PEN/Nabokov Award dhe PEN/Malamud Award

ISAAC BABEL: “LËRMENI TA MBAROJ”

Nga Cynthia Ozick

Më 15 maj 1935, Isaac Babel, një shkrimtar shquarja e të cilit ia kishte bërë të mundur privilegjin sovjetik të një vile në fshat, u arrestua në Peredelkino dhe u çua në burgun Lubjanka të Moskës, zyra qendrore e policisë sekrete. Letrat e tij u konfiskuan dhe shkatërruan – në mesin e tyre tregime gjysmë të përfunduara, drama, skripta filmi, përkthime. Gjashtë muaj më vonë, pas tri ditë e net marrjesh në pyetje të tmerrshme, ai e pranoi akuzën false të spiunazhit. Vitin në vijim, iu bë një gjyq klandestin në orët e vona të 25 janarit; Babeli e mohoi rrëfimin e tij, u deklarua i pafajshëm dhe në orën 1.40 të mëngjesit, me një fjalë, u ekzekutua nga skuadra e pushkatimit. Ishte dyzet e pesë vjeç. Lutja e tij e fundit nuk ishte për veten e tij, por për fuqinë e të vërtetës dhe letërsisë: «Lërmeni ta mbaroj punën time».

Çka arti i Kafkës halucionon – gjyq ka shkak, një gjendje e pashmangshme e udhëhequr nga forcat iracionale, një rend keqbërës shoqëror – Babeli është i ndëshkuar ta përjetojë për së gjalli. Kafka dhe Babeli mund të thuhet se janë koordinata të shekullit të njëzetë evropian: ata janë të ndarë nga gjuha, stili dhe temperamenti; por aty ku kryqëzohen ethet e tyre gjendet pika e infeksionit. Secili prej tyre ishte një hebre plotësisht i vetëdijshëm. Secili kishte përjetuar një pogrom sa ishin ende të rinj, Kafka në Pragën e iluminuar, Babeli nën një regjim carist që promovonte kufizime të rënda për hebrenjtë. Secili sajoi një lloj të modernizmit letrar, duke u bërë lëvizje ai vetë, pa ndonjë mundësi ndjekësish. Të jesh i ndikuar nga Kafka është të përfundosh në parodi; dhe ngase një egërsi e një përvoje mrekullisht të larmishme është e skalitur, në mënyrë të paduplikifueshme, në forcën e prozës së Babelit, asnjë shkrimtar nuk mund të pohoj në mënyrë efektive se është dishepull i tij.

Por, s’do mend, ata janë të kundërt: i hajthëm, i pakënaqur me veten, indiferent ndaj politikës; pothuajse aspak i guximshëm, pavarësisht se gjeni, të ndiente argëtim në gjuhën e vet; në agoni të pafundme rreth një fejese të prishur; pa dalë nga shtëpia pothuajse kurrë. Dhe Babeli, moskokëçarës, i pavëmendshëm, gruar, gjysmë endacak, kalorës, propagandist, baba i tre fëmijëve me tri gra të ndryshme, vetëm njëra prej tyre gruaja e tij legale. Atëherë pse ta sjellim këtu Kafkën për të folur për Babelin? Kafka tekembramja vdiq në shtratin e tij. Babeli ishte u vra nga agjencia kriminale e një qeverie cinike kriminale. Kafka kërkoi që shkrimet e tij të shkatërroheshin, por s’ia kishin vënë veshin. Emri i Babelit dhe puna e tij ishin zhdukur – si të mos kishte shkruar kurrë – deri më 1954, kur, gjatë një “zbutjeje”, ai, sipas terminologjisë sovjetike, u rehabilitua.

Prapëseprapë, po u morën së toku, ata na thonë atë që ne në kohën tonë jemi të obliguar ta dimë rreth kopjeve brutale të forcës dhe mashtrimit, përfshirë vetëmashtrimin. Vetëm Kafka nuk është i mjaftueshëm; të brendshmet e tij janë bukur të përshkruara. Vetëm Babeli nuk është i mjaftueshëm; peizazhet e tij janë tepër të shpërndara. Kafka na dhuron metaforën madhërisht ekzegjetike: njeriu që mendon por mezi jeton, metafiziku që së fundmi është i konsumuar nga një zjarr i madh gënjeshtrash. Babeli, përkundër, jeton, jeton, jeton! Jeton shëndetshëm, kureshtar, i uritur; oreksi i tij për impulset njerëzore të paparshikueshme është gargantuan, përfshirës, ekscentrik.

Ai është marifetçi, bjerraditës, ironik, dashnor tekanjoz, mashtrues i pakujdesshëm – dhe përtej këtyre qindra mishërimeve nxjerrin kokën të vërtetat e fshehta, njëra pas tjetrës, në një fytyrë, në një ngjyrë qielli, në një shteg balte, në një fjalë. Dhunë, mëshirë, komedi, ndriçim. Është thua se ai është një membranë irrituese, subjekt i çdo vibrimi krijesor.

Ai është i lindur në Odesë, qytet kozmopolit dhe poliglot që sheh nga deti dhe përtej tij. Ishte, ka shkruar ai,

Qyteti më magjepsës i Perandorisë Ruse. Po e patët mendjen tek ai, është qytet ku mund të jetoni lirshëm dhe pa mundime. Gjysma e popullatës përbëhet nga hebrenjtë dhe hebrenjtë janë popull që i ka mësuar ca të vërteta të thjeshta në rrugën e tij. Hebrenjtë martohen që të mos mbesin vetëm, dashurojnë që të jetojnë me shekuj, i ruajnë paratë që të mund të blejnë shtëpi dhe t’u japin grave të tyre xhaketa astrakani, i duan fëmijët sepse, le ta themi këtë, është mirë dhe e rëndësishme t’i duash fëmijët e tu. hebrenjtë e shkretë të Odesës ngatërrohen shumë keq kur vjen puna te zyrtarët dhe rregulloret, por nuk është aq e lehtë t’i bësh të tunden nga opinionet e tyre, opinionet e tyre njëmend të vjetra. Mund të mos jesh në gjendje t’i tundësh ata hebrenj, por ka shumë gjëra që mund të mësosh prej tyre. Në një masë të madhe Odesa e ka këtë atmosferë të ndritshme dhe të lehtë për shkak të tyre.

Në këtë paragraf ka shumë nga Babeli i dashur dhe i hareshëm: kënaqësia e ndershme po prapë ironike te njerëzit saktësisht siç janë, ndjenja ngacmuese e së drejtës për të qeshur (“për të jetuar me shekuj”), perspektiva dhe mjerimi krah për krah, njerëzit e rëndomtë të plaçkitur nga burokracia, konfuzioni dhe kryeneçësia, dashuria dhe vetmia. Sa për hebrenjtë, Babeli e kishte nisur si njëri prej tyre, duke e filluar jetën në Moldavanka, një lagje e përzier dëng me mafiozë. Ajo që ai kishte parë aty, me perceptimin e një djaloshi të zgjuar, e kishte katapultuar shumë shpejt në botën e gjerë që shpërtheu (ai ishte njëzet e nëntë vjeç) në tregimet e harlisura të Benya Krikut dhe bandës së tij me kriminelë të ashpër pot të ndershëm me tipare të Damon Runyonesque.

Lionel Trilling, në mesin e të parëve që kanë shkruar seriozisht për Babelin në anglisht, e ngatërroi atë për “një hebre të getos”. Nëse “geto” aludon në një psike të mirëfilltë dhe të lindur, atëherë Babeli është e kundërta. Megjithëse ndihej në shtëpi me jidishin dhe hebraishten dhe ishte familjar me tekstet tradicionale dhe komentarët e tyre kërkues, ai ua shtoi atyre magjepsjen jetëgjatë me Maupassantin dhe Flaubertin. Tregimet e tij të para ishin shkruar në një frëngjishte të rrjedhshme. Gjerësia dhe horizonti i kompasit të tij shoqëror ia bëri të mundur të shihte përmes syve të kalimtarëve, ushtarëve, priftërinjve, rabinëve, fëmijëve, artistëve, aktorëve, grave dhe të të gjitha klasave. U shoqërua me kurva, shoferë taksie, kalorës; e dinte çka ishte të mbetej pa të holla, të jetonte në cep të një rruge të rrahur. Njëherë ishte poet i qytetit – “dielli i xhamtë i Petersburgut” – dhe lirist i periferive: “muret e perëndimit të diellit duke u shembur në qiell”. Ai ishte i tërhequr nga hapësira dhe elasticiteti, optimizmi dhe mundësia dhe përmes këtyre joshjeve vizionare të lirisë shoqërore, të shprehura politikisht, ai kishte uruar mirëseardhjen Revolucionit.

Jo vetëm që e kishte mirëpritur; i ishte bashkëngjitur. Me qëllim që të ishte afër Maksim Gorkit, heroit të tij letrar, Babeli kishte jetuar ilegalisht në Shën Petersburg, njërit prej qyteteve të ndaluara për hebrenjtë nën restrikcioneve penguese të regjimit carist të Zonës së Rezidencës. Me ardhjen e Revolucionit Zona u shpërbë, kuotat diskriminuese ranë, censura u zhduk, premtimet u shumëfishuan dhe Babali u lidh me zell me kauzën bolshevike. Më 1920, si korrespondent i luftës që kalëronte me Këmbësorinë e Kuqe që të çonte shpëtimin komunist në fshatrat kryengritëse polake përreth kufirit, atë e lëshoi magjepsja. “Të gjithë thonë se po luftojnë për drejtësi dhe të gjithë plaçkitin”, shkroi ai në ditarin e tij. “Vrasje, është e padurueshme, poshtërsi dhe krime… Kasaphane. Komanduesit ushtarakë dhe unë kalërojmë përgjatë rrugëve, duke i lutur burrat që të mos i kasapitin të burgosurit”. Gjashtë vjet më vonë, Babeli publikoi tregimet penetruese autoritative Kalorësia e Kuqe, ftohtësisht të zhytura në mëshirë dhe gjak dhe menjëherë u bë i njohur.

Me ngritjen e Stalinit, më 1924, tirania e re nisi të imitonte të vjetrën. Fermenti letrar dhe artistik postrevolucionar, shumica e të cilit ishte eksperimental, u zvogëlua ose u shtyp. U kthye censura, duke nuhatur subverziven dhe duke e favorizuar cekësinë e rëndomtë të Realizmit socialist. Gruaja e Babelit, Evgenija, me të cilën ishte martuar më 1919, emigroi në Paris, ku lindi vajza e tyre më 1929. Nëna dhe motra e tij, që po ashtu ishin të zhgënjyera, u larguan për në Bruksel. Babeli u kap pas Moskës, i martuar epshmërisht me nusen e tij të besueshme, gjuhën ruse, duke vazhduar punën e tij me një cikël tregimesh të fëmijërisë dhe duke bërë aventura me shkrime teatri dhe filmi. Skriptet e filmave, posaçërisht ato të planifikuara për filma pa zë, dolën të jenë të mahnitshme: ato kapnin, nën magnetizmin e parezistueshëm të kamerës dëshmuese dhe inovacionit të kohës së tashme, gjithë shkëlqimin surreal të prozës më pupëlore të Babelit. Shumë prej tyre u realizuan dhe u bënë popullore, por në të vërtetë nuk arritën të preknin linjës drejtuese të Partisë dhe regjisori i njërit prej atyre filmave, një adaptimi të një pjese të Turgenjevit, ishte detyruar të kërkonte falje publikisht.

Duke mos mundur të shkonte konform normativave zyrtare, botimet e Babelit shkuan duke rënë vazhdimisht. Ai u akuzua për “heshtje” – mëkati i joproduktivitetit sovjetik – dhe iu mohua privilegji të udhëtonte jashtë. Udhëtimi i tij i fundit në Paris datonte nga viti 1935, kur Andre Malraux ndërhyri tek autoritetet sovjetike të mundësonin pjesëmarrjen e Babelit në një Kongresi Ndërkombëtar të shkrimtarëve komunistë, të sponsorizuar, për Mbrojtjen e Kulturës dhe Paqes – pas të cilit Babeli s’e takoi më kurrë gruan dhe vajzën e tij. Më vonë, po atë vit, pas kthimit në Moskë, nisi një jetë të re me Antonina Pirozhkovën, me të cilën pati një vajzë të dytë; nga një lidhje tjetër më e hershme ai veç kishte pasur një djalë. Por nëse jeta personale e Babelit ishte e paparashikueshme, e çrregullt dhe e hallakatur, arti i tij ishte ndryshe. Ai i ka shkoqur fjalitë e tij nga një imediatitet pastrues. Si Pushkini, ka thënë ai, ai ishte në ndjekje të “saktësisë dhe shkurtësisë”. Komenti i tij më i shquar mbi stilin letrar gjendet te “Guy de Maupassant”, një përrallë e shkathët gjysmëkomike seksuale e mbështetur mbi peshën dhe trajektoren e vetë gjuhës. Suksesi i një fraze, na udhëzon narratori i ri, “gjendet në një pikë kruciale që mezi shquhet. Gishtërinjtë duhet ta kapin çelësin, ta ngrohin njerëzishëm. Mandej çelësi duhet të rrotullohet vetëm njëherë, jo dy”. Por as kjo nuk është pika kruciale. Pika kruciale (thënia më e rreptë letrare e Babelit) është këtu: “Asnjë majë hekuri nuk mund ta shpoj zemrën njerëzore në mënyrë aq të akullte sa një pikë e vënë në vendin e duhur”.

Një kredo e shkrimtarit dhe rrëfimi më intim i Babelit. Duke mbetur tek kjo, po – por mbajeni në mend po ashtu se i njëjti mësues i avdekësisë të së vërtetës, ky artist i delikatesës që kthehet në çelës, dikur kishte qenë një propagandist i paturpshëm i Revolucionit, i zoti të bënte thirrje të llahtarshme: “Grushtojini ata, Luftëtarë të Kuq, rrahini për vdekje, edhe nëse është gjëja e fundit që bëni! Menjëherë! Në këtë çast! Tash! Therini ata, Luftëtarë të Ushtrisë së Kuqe! Shkelini më fort kapakët e arkivolëve të tyre të prishur! Slogane të tilla janë qeli të mbyllura për të cilat nuk ka çelës dhe edhe pse është një klishe se secila utopi ka edhe farat e distopisë, Babeli, pas së gjithash, ishte pre e skepticizmit pothuajse që nga fillimi. Nga skepticizmi lindi zhgënjimi, neveria. Dhe në fund, siç e kërkon tropi tragjik, Revolucioni i hëngër kapërdiu e tij.

Arti i Babelit shërbente si një stacion në rrugën drejt kapërdimjes. Ai u kapërdi, ngase nuk donte, nuk mund, të rehatohej tek rrena; ngase ai pa dhe pa, me një sy si llampë Klieg; dhe ngase, si Kafka, ua dorëzoi tregimet e veta zërave dhe pasioneve që drithërojnë nga e papritura. Nëse duam ta kompletojmë dhe përçojmë konfigurimin letrat të shekullit XX – imazhin që do të njollosë më së forti retinën e hsitorisë – tash është koha (ka kaluar koha) ta vëmë Babeli përkrah Kafkës. Bashkë, s’lënë asnjë nerv pa prekur.

/Marrë nga, Cynthia Ozick, ‘The Din in the Head’,  

/Gazeta Express