string(81) "nga-krize-financiare-ne-dominim-rilindja-e-barcelones-nen-drejtimin-e-hansi-flick"

Futboll

Gazeta Express

16/05/2025 13:54

Nga krizë financiare në dominim: Rilindja e Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick

Futboll

Gazeta Express

16/05/2025 13:54

Kur ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Alan Hansen, deklaroi në fillim të sezonit 1995-96: “Nuk fiton asgjë me fëmijë”, askush nuk e imagjinonte se Manchester Unitedi i Alex Fergusonit do ta rrëzonte këtë teori. “Klasa e ‘92-shit” i fitoi Premier League dhe FA Cup në të njëjtin sezon dhe u bë një nga ekipet më të mëdha të historisë.

Sot, shumë e shohin Barcelonën e re të Hansi Flick si të ngjashme me atë epokë – një skuadër e re, e patrembur dhe e etur për lavdi.

Fitorja 2-0 ndaj Espanyolit e shpalli zyrtarisht Barcelonën kampione të La Ligës, pas fitores së Kupës së Mbretit në prill. Dhe kjo “Dopietë” ka rikthyer buzëqeshjet jo vetëm në Katalonjë, por për të gjithë dashamirët e futbollit të bukur.

Flick ka ndërtuar një skuadër me moshë mesatare vetëm 25 vjeç – më e reja në La Liga – ku spikasin adoleshentët si Lamine Yamal (17 vjeç), Pau Cubarsí (18) dhe Pedri (22), që po shndërrohen në yje botërorë.

Kriza financiare që nxiti rilindjen

Dikur në një krizë të thellë financiare, Barcelona nuk mund të blinte as regjistronte lojtarë të rinj. Por kjo vështirësi i dha mundësinë talentëve të rinj që të shpërthenin. Një meritë edhe për Xavin, që hapi dyert për ta, por ishte Flick ai që i vendosi në qendër të skuadrës.

Besim dhe strukturë

Kur Flick mbërriti nga Bayern Munich, gjeti një ekip pa vetëbesim. Lewandowski, Raphinha dhe Frenkie de Jong ndiheshin të pavlerësuar. Por trajneri gjerman u dha mbështetje të menjëhershme dhe kjo ndryshoi gjithçka: Lewandowski është golashënuesi më i mirë me 25 gola, ndërsa Raphinha ka 18.

Ai riktheu besimin edhe te lojtarët që nuk luajnë rregullisht, duke i bërë të ndihen të rëndësishëm. Edhe gjeste të vogla – si lejimi që të rinjtë të zgjedhin muzikën në dhomën e zhveshjes – krijuan një ambient të shëndetshëm.

Lojë e guximshme dhe e rrezikshme

Flick ka një stil të hapur dhe të guximshëm, shpesh edhe të rrezikshëm. Kjo ka sjellë spektakël, por edhe dobësi në prapavijë – siç tregojnë 24 golat e pësuar në 14 ndeshje të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, skuadra ka treguar se di të rikthehet edhe kur është në disavantazh.

Lidershipi në fushë

Liderët e kësaj skuadre nuk janë më emrat e mëdhenj, por të rinjtë: Yamal, Raphinha, de Jong. Ata frymëzojnë ekipin, ndërsa Flick është “gjenerali” që përgatit strategjinë. Pasioni dhe përkushtimi i lojtarëve i japin shpirt kësaj skuadre.

Disiplinë gjermane

Flick është i rreptë me disiplinën: Jules Koundé është lënë tre herë në stol sepse ka ardhur vonë në takime. Edhe portieri Iñaki Peña e ka përjetuar të njëjtën gjë. Uniforma zyrtare është detyrim për të gjithë, edhe për drejtuesit.

Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në ije, Flick është i çliruar edhe fizikisht dhe emocionalisht. Ai është më i përqendruar se kurrë, dhe e di se kjo skuadër ka ende shumë për të mësuar. Synimi i ardhshëm? Të kontrollojë më mirë lojën dhe të synojë triumfin në Champions League.

Flick ka edhe një vit kontratë dhe, edhe pse rinovimi s’do jetë problem, ai nuk kërkon kontrata afatgjata. Ai e di se suksesi nuk vjen vetëm nga firmat – por nga fryma dhe puna e përditshme.