Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në pallatin presidencial në Abu Dhabi, duke përmbyllur kështu edhe ditën e fundit të turneut të tij katër-ditor në Lindjen e Mesme.
Sipas CNN, ai pritet të marrë pjesë në një mëngjes pune me liderë të biznesit nga SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me presidentin e EBA-së, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë vizitës së tij, Trump u prit me një performancë tradicionale të njohur si Al-Ayyala, ku gra të veshura me fustane të bardha lëviznin flokët njëlloj, të shoqëruara nga ritme daullesh dhe këngë. Një shfaqje kulturore, e njohur edhe nga UNESCO që zakonisht realizohet në dasma dhe festivale në Emiratet e Bashkuara dhe Oman.
Presidenti amerikan poashtu ka “kërkuar meritat” për investimet në Lindjen e Mesme, duke iu drejtuar gazetarëve me fjalët, ”shtypi duhet ta mbajë mend – këtë e bëra unë”
Dihet se më vonë gjatë ditës, Trump poashtu pritet të vizitojë Shtëpinë e Familjes Abrahamike, një kompleks ndërfetar që përfshin një xhami, sinagogë dhe kishë, e njohur si simbol i harmonisë ndërfetare i lidhur me Marrëveshjet Abrahamike.
Kujtojmë që vizita e Trump në vendet e Lindjes së Mesme, nënvizon përpjekjet për të forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike me këto vende, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe paqen në rajon.