string(88) "nga-lista-e-zeze-ne-milionat-shteterore-mbeshtetja-e-heshtur-e-serbise-per-veselinoviqin"

Lajme

Gazeta Express

16/05/2025 7:20

Nga lista e zezë në milionat shtetërorë: Mbështetja e heshtur e Serbisë për Veselinoviqin

Lajme

Gazeta Express

16/05/2025 7:20

Edhe përkundër sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kompania Inkop, e kontrolluar nga Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko, ka realizuar një vit rekord në 2024. Sipas të dhënave zyrtare të paraqitura në Agjencinë për Regjistra Ekonomikë, kjo kompani ka gjeneruar 47.7 milionë euro të ardhura, një rritje prej 33 për qind krahasuar me një vit më parë, raporton Radari serb.

Nga ky fitim, vëllezërit Veselinoviq kanë shpërblyer veten me dividendë prej mbi 6.3 milionë euro, pavarësisht faktit se kompania ka ende borxhe tatimore prej 400.000 euro, të papaguara që nga viti 2021. Për më tepër, për këtë borxh është vendosur hipotekë mbi pronat e kompanisë.

Miliona nga projektet shtetërore – pa tenderë, me ndihmën e firmave kineze

Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të Inkopit rrjedhin nga projektet shtetërore, ku kompania paraqitet si nënkontraktore e firmave kineze, të cilat shpesh marrin punët pa procedura tenderimi. Ndër këto projekte janë:

Ndërtimi i rrugës së shpejtë Pozharevac–Golubac (vlera: 337 milionë euro)

Rruga Valjevo–Lajkovac (vlera: 158 milionë euro)

Autostrada Preljina–Pozhega (Koridori 11, vlera: 450 milionë euro)

Në të gjitha këto projekte, Inkop ka bashkëpunuar me kompani kineze si Shandong dhe CCCC, duke përfituar miliona euro nga buxheti i shtetit serb, pavarësisht listës së zezë ndërkombëtare.

Fitime në rritje, paga më të ulëta për punëtorët

Ndërsa fitimi i kompanisë ka qenë në rritje të vazhdueshme – mbi 80 milionë euro në gjashtë vitet e fundit – të dhënat tregojnë se shpenzimet për pagat e punonjësve janë ulur me 10%, ndonëse numri i të punësuarve është rritur. Në të njëjtën kohë, shpenzimet për “shërbime prodhuese” janë rritur për më shumë se 400 për qind brenda një viti, duke ngritur dyshime mbi strukturën e shpenzimeve të kompanisë.

Perandoria e ndërtuar mbi ndihmën shtetërore

Përveç Inkopa, familja Veselinoviq kontrollon edhe kompani të tjera të suksesshme si:

Novi Pazar put, e cila vitin e kaluar realizoi 34.2 milionë euro të ardhura dhe 3.6 milionë euro fitim, duke marrë pjesë në projekte të rrugëve lokale.

Betonjerka Aleksinac, që pas privatizimit nga Veselinoviqi dhe Milan Radoiciq në 2019, ka kaluar nga falimentimi në një kompani që ka gjeneruar mbi 3 milionë euro fitim deri më tani, duke përfituar edhe kontrata nga Elektrodistribucioni i Serbisë.

Nga i kërkuar për krim, në milioner shtetëror

Zvonko Veselinoviq, një figurë e njohur dhe e përfolur nga Kosova në Beograd, është shpallur i kërkuar nga autoritetet kosovare që nga viti 2019 për drejtimin e një grupi kriminal të organizuar. Edhe pse ndodhet nën sanksione ndërkombëtare, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e bashkëpunimit, ai vazhdon të përfitojë kontrata me shtetin serb në mënyrë indirekte, përmes firmave kineze dhe marrëveshjeve pa tenderë.

Zvonko Veselinoviq nga Zveçani, i njohur në Kosovë dhe në Serbi si bosi i kontrabandës me derivate të naftës, me tekstil, vetura dhe mekanizëm tjetër të rëndë, i cili është i njohur edhe për faktin se ishte gjetur në grupin e njerëzve të cilët pengonin kalimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës dhe i cili ishte organizatori kryesor për vendosjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër në korrikun e vitit 2011, është treguar i gjithëpushtetshëm edhe në Serbi.

Pasi që veriun e Kosovës e kishte “futur” në dorë lehtësisht nëpërmes të njerëzve të vetë, të njohur për vepra të rënda kriminale dhe duke bashkëpunuar edhe me shqiptarë, Veselinoviq ka arritur që krijojë pushtet edhe në Serbi. Veselinoviq ishte arrestuar dhe ishte dërguar në burg, ndërkohë që pas 1 viti e 4 ditë paraburgimi është shpallur i pafajshëm. Me ndikim të madh tek pushtetarët në Beograd, Veselinoviq kishte arritur që ta merrte një tender 750 milionë dollarë, ndërsa duke përdorë autoritetin dhe forcen e tij, gjithashtu ka arritur që përvehtësojë një pjesë të qendres sportive-rekreative në Kopaonik, në të cilën ka ndërtuar hotel.

Mediet serbe, të cilët Veselinoviqin e përshkruajnë edhe si njeriun që ka refuzuar ta largojë barrikadën nga ura kryesore e Ibrit, të vendosur nga ai vetë dhe nga serbët, disa muaj para se të arrestohej, shkruajnë se Veselinoviq ka arritur ta fitojë gjykimin dhe të përfitojë “miliona” për 1 vit e 4 ditë, sa ka qendruar në burg, me akuzën se “kundërligjshëm ka përvehtësuar 32 kamionë në pronësi të kompanisë Hipo Alpe Adria lizng”. Gjykata e Apelit në Beograd e ka shpallur të pafajshëm Veselinoviqin dhe e ka liruar nga të gjitha akuzat. Për 1 vit e 4 ditë burg që i ka mbajtur,Veselinoviq, siç shkruajnë mediet serbe është dëmshpërblyer me “miliona”, por nuk precizojnë sa milionë.

Sipas medieve serbe, pushteti aktual në Serbia ia ka dhënë një konzorciumi të kompanive, që udhëhiqet nga Zvonko Veselinoviq, punët për ndërtimin e autostradës në korridorin e 11, në vlerë prej 750 milionë dollarë, ndonëse siç precizojnë mediet serbe, kompania e tij nuk ka fare përvojë  në ndërtimin e rrugëve.