string(107) "perleshje-dhe-tensione-para-gjykates-ne-novi-sad-policia-perdor-sprej-piperi-ndaj-qytetareve-dhe-studenteve"

Lajme

Gazeta Express

16/05/2025 7:40

Përleshje dhe tensione para Gjykatës në Novi Sad: Policia përdor sprej piperi ndaj qytetarëve dhe studentëve

Lajme

Gazeta Express

16/05/2025 7:40

Tensionet para ndërtesës së organeve gjyqësore në Novi Sad vazhdojnë për ditën e dytë radhazi. Që nga mëngjesi i hershëm, rreth orës 05:30, forcat e Njësisë Speciale të Xhandarmërisë dhe Brigadës Ndërhyrëse kanë hyrë në oborrin e ndërtesës, ku qytetarët dhe studentët kanë kaluar natën në bllokadë.

Në vendin e ngjarjes janë vendosur forca policore të pajisura me pajisje për shpërndarjen e protestave, ndërsa situata ka eskaluar gjatë paradites. Siç raporton gazetarja e N1 nga vendngjarja, policia ka përdorur sprej piperi kundër protestuesve, përfshirë edhe studentët që po mbanin bllokadën, duke krijuar përplasje fizike në hyrjet e gjykatës.

Një fotoreporter është ndaluar nga policia me arsyetimin se kishte në posedim sprej. Gjithashtu, edhe deputeti i Kuvendit Krahinor, Branislav Grubacki, është goditur me sprej nga policia. Ai e ka quajtur të “pakuptimtë” aksionin e forcave të rendit, duke theksuar se ndërhyrja e tyre ishte e dhunshme dhe e panevojshme.

Grubacki deklaroi për N1 se policia u kishte thënë se duhet të lejojnë hyrjen e punonjësve të gjykatës, por sipas tij kjo nuk ndodhi.

Qytetarët janë mbledhur në këtë protestë si përgjigje ndaj arrestimit dhe ndalimit të disa aktivistëve të Lëvizjes për Qytetari të Lirë dhe organizatës studentore joformale STAV, të cilëve u është caktuar për herë të tretë paraburgimi prej 30 ditësh.

Ndërkohë, profesoresha e sociologjisë në gjimnazin “Jovan Jovanovic Zmaj”, Marija Vasic, ka nisur të martën një grevë urie dhe etje në shenjë proteste kundër vendimit për paraburgim. Ajo është transferuar dje në gjendje të rëndë në spitalin e Burgut Qendror në Beograd, pa dijeninë e familjes së saj për vendndodhjen e saj.

Protestuesit vazhduan bllokadën gjatë gjithë natës me turne, dhe janë thirrur që edhe sot të vazhdojnë me ndalimin e hyrjes së punonjësve në ndërtesën e gjykatës, në shenjë proteste dhe kërkese për lirimin e të ndaluarve.

Kujtojmë se edhe dje u raportuan përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave policore, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paparashikueshme.