Ditën e nesërme policia ka marrë disa masa në lidhje me samitin e Komunitetit Politik Europian. Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato në emisionin Opinion në Tv Klan ka treguar se në perimetrin me Unazën e Vogël të Tiranës nuk do të lejohen as këmbësorët që të lëvizin përveç atyre të akredituarve.
“Paraqitja këtu ka të bëjë me ambientin ku zhvillohet samiti, por ka një perimetër sigurie që ka të bëjë me Unazën e Vogël. Në këtë perimetër, makina dhe persona përveç të akredituarve nuk hyn askush tjetër. Asnjë person, asnjë mjet, as këmbësor, as parkim”, tha Qato.
Më pas ai ka thënë se nga ora 08:30 deri në momentin që do të kalojë delegacioni i fundit të dyja krahët e autostradës do të ketë bllokim. Ai shtoi se për rreth 3 orë audostarda do të paralizohet komplet. Gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të përdorin rrugët dytësore të autostradës.
“Nesër bllokimi i madh është nga aeroporti “Nënë Tereza”, hyn në autostradën e re Thumanë-Kashar, hyn në autostradën Durrës-Tiranë, Unazën e re, Astirin, Rruga e Elbasanit, Rrethrrotullimi i Saukut, Pallati i Brigadave, Rrethrrotullimi i Ekonomikut, Rruga e Elbasanit, Rruga George Bush dehe deri në destinacion te sheshi Skënderbej”, tha Qato.