Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi në Tiranë rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, duke theksuar se ai konfirmoi dëshirën e qytetarëve shqiptarë për integrim në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE-së, duke qenë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE”, tha ai, duke shtuar se anëtarësimi nuk varet nga “nëse” apo “si”, por vetëm nga “kur”.
Costa inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë me ritmin e punës, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, dhe vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me shembull dialogun e nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.
Ai përgëzoi gjithashtu organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, i pari në këtë pjesë të Evropës, dhe u shpreh i bindur për produktivitetin e takimeve të tij.