Presidentja Vjosa Osmani, është prononcuar pas takimit që ka zhvilluar me liderët e partive lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvend duke thënë se ka pasur disponim minimal dhe se atmosfera në takim s’ka qenë e tensionuar, shkruan Gazeta Express.
Ajo ka thënë se tek liderët ‘’vullnet ka’’.
‘‘Unë përmenda që pavarësisht dallimit në qëndrimi diskutimi ka qenë me respekt të ndërsjellë dhe ka qenë konstruktiv. Kam pa lloj-lloj takimesh, në atmosfera të tensionuara, dhe ky nuk ka qenë i tillë. Tymi i bardhë do të dalë vetëm kur kemi konstituim të Kuvendit, akoma nuk jemi në atë pikë. Disponim minimal e thash në kontekstin që vullnet ka’’, ka deklaruar ajo.
Tutje, ajo është pyetur edhe nëse janë diskutuar zgjedhjet si mundësi e daljes nga situata aktuale duke deklaruar është fol se nëse shkohet shumë gjatë me situatën e njëjtë duhet që liderët të pajtohen për zgjedhje, porse, edhe për këtë çështje duhet konstituimi i Kuvendit fillimisht.
‘‘Sa i përket zgjedhjeve, të gjithë jemi pajtuar që siç e dini Kushtetua e parasheh që zgjedhje mund të ketë në disa raste; Në qoftë se 2/3 e kuvendit vendosin të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit; Në qoftë se dështojnë në zgjedhjen e qeveris; Në qoftë se ka pastaj votë mosbesimi ndaj qeverisë. Për momentin pa konstitumin të Kuvendit, nuk mund të shkohet të asnjëra nga këto opsione. Edhe në qoftë se partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje, fillimisht duhet me u konstitu kuvendi. U fol që në qoftë se shkohet shumë shumë gjatë, mund të vijmë në një pikë ku liderët duhet të ulën dhe të pajtohen për zgjedhje, mirëpo edhe për këtë parakusht është konstituimi i Kuvendit. Pa u pajtuar për konstituim të Kuvendit, nuk mund të pajtohen as për zgjedhje’’, ka deklaruar ajo. /GazetaExpress