string(108) "policia-serbe-perdori-sprej-lotsjelles-dhe-shkopinj-gome-per-te-thyer-bllokaden-e-studenteve-sot-ne-novi-sad"

Lajme

Gazeta Express

15/05/2025 11:53

Policia serbe përdori sprej lotsjellës dhe shkopinj gome për të thyer bllokadën e studentëve sot në Novi Sad

Lajme

Gazeta Express

15/05/2025 11:53

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe njësitë e xhandarmerisë ndërhynë mëngjesin e sotëm përpara godinës së organeve të drejtësisë në Novi Sad, në përpjekje për të thyer bllokadën e ndërmarrë nga studentët dhe qytetarët protestues.

Që nga ora shtatë e mëngjesit, studentët në bllokadë dhe qytetarë të shumtë – mes të cilëve edhe deputetë dhe këshilltarë opozitarë – bllokuan të katër hyrjet e godinës ku ndodhen gjykata dhe prokuroria, në shenjë proteste ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Novi Sadit për të zgjatur edhe për 30 ditë të tjera paraburgimin ndaj gjashtë aktivistëve dhe studentëve të organizatave Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) dhe Studentët kundër pushtetit autoritar (STAV). Aktivistët janë të akuzuar, ndër të tjera, për përpjekje për rrëzim të rendit kushtetues.

Vendimi për zgjatjen e paraburgimit është marrë të martën, ndërsa të ndaluarit ndodhen në paraburgim prej 60 ditësh, që nga arrestimi i tyre në prag të një proteste të madhe studentore të mbajtur në Beograd më 15 mars.

Përgjatë mëngjesit, për të thyer bllokadën, policia ndërhyri me sprej lotsjellës dhe shkopinj gome, duke hyrë me forcë në godinë dhe duke i shoqëruar disa nga punonjësit e gjykatës brenda. Rreth orës 9:00, nga ndërtesa u nxorën edhe dhjetëra punonjës të tjerë, të cilët u përballën me protesta dhe britma nga qytetarët e mbledhur.

Protestuesit kanë paralajmëruar se bllokada do të vazhdojë deri në lirimin e të ndaluarve. /Vijesti