Barcelona mund të shpallet kampione e Spanjës sonte, dy xhiro pa përfunduar sezoni në La Liga.
Gjiganti katalunas ka mundur të festonte edhe mbrëmë pa luajtur, por rivali kryesor për titull, Real Madridi fitoi në frymën e fundit ndaj Mallorcas së Vedat Muriqit për t’i mbajtur gjallë ato shpresa minimale për titull, shkruan “Gazeta Express”.
Kjo bën që “Los Blancos” t’i afrohen liderit në katër pikë, por që “Blaugrana” e kanë një ndeshje më pak të luajtur.
E trupa e Hansi Flickut e ka mundësinë të festojë sonte.
Për ta arritur këtë, Lamine Yamal me shokë duhet ta mposhtin rivalin lokal, Espanyol.
Kjo do të nënkuptonte se Barça do të shkonte në +7 pikë ndaj Realit, dy xhiro pa përfunduar sezoni, që i bie se do ta siguronte edhe matematikisht titullin e më të mirit.
Me këtë rast, Barcelona do ta fitonte titullin e 28-të në histori, ndërsa do ta mbyllte sezonin me tre trofe të fituar: Kupën e Superkupën e Spanjës dhe La Ligan, ndërsa ishte afër edhe në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në gjysmëfinale nga Interi. /Gazeta Express