Presidenti amerikan Donald Trump gjatë një turi katërditor në vendet e Gjirit, ka vizituar edhe bazën ajrore Al-Udeid në Katar – një nga instalimet më të rëndësishme të ShBA-së në Lindjen e Mesme.
Sipas Associated Press, duke iu drejtuar trupave amerikane, Trump i ka falënderuar për shërbimin dhe u ka folur për rolin e ShBA-së në Lindjen e Mesme.
“Si president, prioriteti im është të përfundoj konfliktet, jo t’i nis ato, por nuk do të hezitoj kurrë të përdor fuqinë amerikane nëse është e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara apo partnerët tanë,” raportohet të ketë thënë Trump, duke shtuar se:
“Kur kërcënohemi, ushtria amerikane do t’u përgjigjet armiqve pa menduar dy herë. Ne kemi fuqi dërrmuese dhe forcë shkatërruese.”
E ndërkohë që Trump po vazhdon përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje bërthamore me Iranin, ai e ka vlerësuar Katarin si një nga partnerët më të fortë të ShBA-së në rajon.