Gjashtëmbëdhjetë tentativa, po aq edhe dështime. Një muaj, duke filluar nga data 15 e prillit kur është mbajtur edhe tentativa e parë, e deri më sot 15 maj, deputetët e rinj të kuvendit të Kosovës, janë mbledhur çdo 48 orë për të konstituar Kuvendin. Megjithatë, asnjë rezultat nuk është arritur.
Tentimi i fundit u bë sot në seancën e thirrur për orën 10:30.
As sot, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, i bërë përmes kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë nuk e morri përkrahjen e nevojshme në vota për tu proceduar tutje.
Si në çdo seancë tjetër, edhe sot, Dehari e vazhdoi seancën tek pika e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, duke ftuar partitë që të propozojnë anëtarët e tyre për komisionin që bën të mundur votimin e fshehtë. Dhe, si në çdo seancë tjetër, partitë refuzuan të propozojnë anëtarët e tyre.
Dehari, pavarësisht kësaj, si në herat e kaluara e hodhi në votim propozimin i cili kësaj here morri 55 vota për, 1 ishte kundër, ndërsa abstenime s’kishte.
Kryesuesi, menjëherë pas kësaj ndërpreu seancën duke njoftuar se vazhdimi i saj do të bëhet të shtunën duke filluar nga ora 10:30.
Me të përfunduar mbledhja, përfaqësues të partive dolën në konferencë.
I pari ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili mes tjerash tha se situata e krijuar tashmë është bërë e tepërt.
‘‘Pengmarrjes institucionale të cilën po e realizon Lëvizja Vetëvendosje, me bllokimin që po ia bën jo vetëm konstituimit të kuvendit por edhe krijimit të institucioneve. Fiks një muaj më parë jemi mbledhur këtu të gatshëm për ta konstitu kuvendin dhe jemi një muaj më vonë dhe jemi në bllokadën të cilën partia që ka dalë e para vazhdon ta mbajë. Kjo është e tepërt, unë edhe një herë i bëj thirrje deputetit Albin Kurti që ta ndërroj kandidaten e cila herë merr 55 e herë 56 e herë 53 vota, sepse nuk i ka marrë nuk i merr e as nuk do t’i merr 61. Është e pakuptueshme se si mund të jetë kushdo kandidat më i rëndësishëm se gati 1 milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, e pashembullt, s’ka ndodh asnjëherë’’, ka thënë ai.
Pas Krasniqi, ishte deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ajo që u prononcua.
E njëjta ka thënë se asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit
‘‘Është e pakuptimtë dhe e padrejtë që përgjegjësia për zhbllokimin institucional t’i lihet vetëm një partie, kur procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për të çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim. Subjektet politike duhet të reflektojnë. Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar”, tha dje ajo.
Pas saj, në konferencë për media ka dalë edhe deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj, ka thënë se seancat s’po prodhojnë më asgjë.
“Mirë që s’po ia bëni ju sikurse këto vendet dhe ambasadorët që më s’po çojnë përfaqësues për me i përcjell këto seanca plenare, ndoshta kishte qenë mirë edhe ju me abstenu se s’po prodhon asgjë”, deklaroi Kadrjiaj.
Prononcim për media ka bërë edhe deputeti Faton Peci i cili duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se janë duke bërë përpjekje për zhbllokimin e situatës në Kuvend duke marrë pjesë në seancë dhe në votim.
“Në emër të Grupin Parlamentar që të shprehim keqardhje që edhe pas përpjekjes së radhës nuk kemi rezultat në zhbllokimin e gjendjes. Ne si Grup Parlamentar, në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje për zhbllokimin e kësaj gjendje dhe rrjedhimisht jemi duke i kryer detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese duke marrë pjesë në seancë dhe jo vetëm në seancë, por edhe duke marrë pjesë në proces të votimit siç është e përcaktuar me aktgjykimin e Kushtetueses”.
Ndryshe sot gjatë ditës, për bllokadën e krijuar në kuvend, presidentja Vjosa Osmani, do të zhvillojë takime me liderët e partive politike, si një mundësi për të diskutuar për rrugët përpara.
Për këtë ka folur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
I njëjti ka thënë se kompetencat e presidents nuk kanë ndonjë fuqi.
“Presidentja ka shpreh vullnetin që t’i takojë së bashku grupet parlamentar, partitë politike, por ju e dini që kompetencat e presidentes nuk kanë ndonjë fuqi që të ketë ndonjë mundësi që t’i përafrojnë partitë politike. Të shohim si do të rrjedhë ky proces” – u shpreh ai.
Përveç Bajqinovcit, për takimin me presidenten dhe mundësitë që të dalë ndonjë zgjidhje nga këto takime, kanë folur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti Bekë Berisha nga kjo parti është shprehur skeptik që mund të gjendet ndonjë zgjidhje.
“Në fakt, duhet të konsumohen edhe këto dy veprime: ftesa nga presidentja dhe një pyetje që ia kemi bërë Gjykatës Kushtetuese. Nuk kam ndonjë shpresë që do të zgjidhet diçka te presidentja, sepse partitë politke janë deklaruar para takimit”, tha ai.
Kurse lidhur me ngërçin e krijuar në kuvend, kanë reaguar pak ditë më parë edhe ambasadorët e huaj.
Të njëjti pas një takimi që kanë zhvilluar me Kurtin, kanë kërkuar që sa më shpejt të formohen institucionet. /GazetaExpress