string(106) "shume-mire-per-te-qene-e-vertete-investitoret-kthejne-syte-drejt-sirise-pas-heqjes-se-sanksioneve-nga-shba"

Lajme

Gazeta Express

15/05/2025 10:57

“Shumë mirë për të qenë e vërtetë”, investitorët kthejnë sytë drejt Sirisë pas heqjes së sanksioneve nga ShBA

Lajme

Gazeta Express

15/05/2025 10:57

Vendimi i presidentit Donald Trump për të hequr sanksionet ndaj Sirisë pritet të hapë një epokë të re ekonomike në vend, duke tërhequr investime nga diaspora, Turqia dhe vendet e Gjirit, raporton Reuters.

Bëhet e ditur se biznesmenë dhe zyrtarë sirianë presin një valë kapitali në ekonominë e shkatërruar nga lufta. Sipas Reuters, miliarderi Ghassan Aboud, me bazë në Emirate, ka thënë se tani që frika nga sanksionet po zbehet, shumë sirianë do të duan të investojnë në vend.

Kujtojmë se Arabia Saudite dhe Turqia, që mbështesin qeverinë e Sharaa-s, kanë ushtruar presion ndaj ShBA-së për heqjen e sanksioneve, me ministri e jashtëm saudit i cili tha të mërkurën se do të hapen shumë mundësi investimi sapo të ndodhë heqja e tyre.

Ndërkohë, presidenti sirian al-Sharaa, me një fjalim televiziv të mbajtur të mërkurën mbrëma, e ka përshkruar vendimin e Trump-it si historik dhe të guximshëm, duke premtuar se Siria do të përmirësojë klimën për investime.

Kujtojmë se lufta shumë e zgjatur në Siri ka shndërruar shumë zona urbane në rrënoja dhe ka shkaktuar qindra mijëra viktima. Kurse, sipas agjencive të OKB-së, më shumë se 90% e 23 milionë sirianëve jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Megjithatë, heqja e sanksioneve do të ndryshojë rrënjësisht një ekonomi që tashmë është në një rrugë të re nga sundimtarët e rinj të Sirisë, të cilët kanë ndjekur politika të tregut të lirë dhe janë larguar nga modeli shtetëror që ishte zbatuar gjatë pesë dekadave të sundimit të familjes Assad.

Rikujtojmë se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore vendosën sanksione të ashpra ndaj Sirisë gjatë luftës që nisi nga protestat kundër sundimit të Bashar al-Assad në vitin 2011.