Diskutimet për rolin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në jetën publike dhe politike të Serbisë po marrin ton kritik nga vetë zërat brenda komunitetit të KOS. Në një debat të zhvilluar në median serbe me qëndrime anti-qeveri “Radar”, teologët serbë Vukashin Milliqeviq dhe Bllagoje Pantelliq kanë deklaruar se ekziston material i mjaftueshëm për një hetim të thelluar rreth përgjegjësisë kanonike dhe morale të Patriarkut serb Porfirije, raporton Ekonomia Online.
Një pjesë e rëndësishme e kritikës lidhet me qëndrimin e Patriarkut serb ndaj Kosovës. “Politika e kreut te Kishes Ortodokse Serbe ndaj Kosovës është vazhdimësi e politikës së Vuçiqit, vetëm se është më perfide. Me fjalë për të drejta universale, shmanget nga përgjegjësia reale për mbrojtjen e komunitetit serb dhe trashëgimisë fetare në Kosovë”, shton Pantelliq, duke theksuar se veprimet e Porfirijes nuk përfaqësojnë interesin real të besimtarëve serb ne Kosovë, por të regjimit në Beograd.
Sipas tyre, Kisha Ortodokse Serbe është shndërruar në shtyllë të pushtetit autokratik në Serbi, duke humbur rolin e saj shpirtëror dhe duke bashkëpunuar ngushtë me interesat politike të regjimit të Aleksandar Vuçiqit. “Kemi një strukturë të dyfishtë të pushtetit në Kishë – Mitropoliti Irinej i Baçkës dhe Patriarku Porfirije. Të gjithë të tjerët janë vetëm dekor. Ashtu si në politikë, edhe këtu qytetari është reduktuar në një ‘dele’, e jo një besimtar të barabartë”, ka deklaruar Pantelliq.
Ata paralajmëruan se përveç lidhjeve me pushtetin, në Kishë po ndodhin edhe abuzime serioze financiare: “Ashtu si disa rreth regjimit që e bëjnë paranë shtetërore të tyren personale, edhe në Kishë ekziston një klikë që trajton pasurinë e komunitetit si pronë private.”