Qeveria britanike do të lansojë një sistem me inteligjencë artificiale për të përshpejtuar procesin e konsultimeve publike. Sipas ministrave, sistemi i ri do të analizojë reagimet e qytetarëve rreth 1,000 herë më shpejt se një njeri dhe pritet të kursejë miliona funte.
Bëhet e ditur se kjo vegël e Inteligjencës Artificiale, e quajtur “Consult”, është përdorur për herë të parë nga qeveria skoceze gjatë një konsultimi mbi procedurat kozmetike jo-kirurgjikale, si injektimet e mbushësve të buzëve, ku sipas qeverisë britanike, ishin analizuar më shumë se 2,000 përgjigje dhe ishte dalë në përfundime që përputheshin me ato të zyrtarëve njerëzorë.
The Guardian raporton se ky mjet është pjesë e një pakete të re teknologjike të qeverisë, të njohur me emrin “Humphrey”, që synon të përshpejtojë punën në administratën publike dhe të ulë kostot për konsultime. Sipas autoriteteve nga rreth 500 konsultime që zhvillohen çdo vit, përdorimi i “Consult” mund të kursejë për taksapaguesit britanikë deri në 20 milionë funte në vit dhe të lirojë rreth 75,000 orë pune të zyrtarëve.
Sipas qeverisë, ky sistem jo vetëm që është shumë më i shpejtë por është edhe 400 herë më i lirë se analizat e bëra nga stafi njerëzor, ndërkohë që rezultatet janë “jashtëzakonisht të ngjashme” me ato që do të jepnin ekspertët.
The Guardian shkruan se ende nuk është dhënë ndonjë datë e saktë për përdorimin zyrtar të sistemit, pasiqë ende është në fazë prove, megjithatë besohet se do të gjejë zbatim në zyrat qeveritare deri në fund të vitit 2025.