Në fund të fjalimit të mbajtur në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, presidenti amerikan Donald Trump u është drejtuar liderëve arabë me fjalët se, “e gjithë bota po flet për atë që ju po bëni”.
Ai tutje ka shtuar se pret të krijohet një Lindje e Mesme që do të “lulëzojë” dhe do të bëhet “qendra gjeografike e botës”.
Kujtojmë se më herët gjatë fjalimit Donald Trump ka kaluar në temën e luftës në Gazë, duke shprehur shpresën për një të ardhme me “siguri dhe dinjitet” për palestinezët.
Megjithatë, sipas BBC-së, Trump ka theksuar se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për aq kohë sa drejtuesit e Gazës vazhdojnë me dhunën.
Tutje Trump ka vlerësuar rolin “konstruktiv” të liderëve arabë të pranishëm në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit dhe i ka falënderuar gjithashtu për ndihmën në lirimin e pengut izraelito-amerikan Edan Alexander. Ndër të tjera, në fjalimin e tij, Donald Trump deklaroi se në fund të mandatit të tij të parë “gjithë vrulli në Lindjen e Mesme ishte drejt paqes”.
Ai ka shprehur edhe synimin për të vazhduar përparimin dhe e quajti zgjedhjen e tij “më të rëndësishmen në Amerikë në 129 vitet e fundit”.
Trump ka shtuar se do të vazhdojnë të shtojnë vende të tjera në marrëveshjet Abraham Accords për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, duke falënderuar Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për firmosjen e marrëveshjes.
Ndërsa, fjalimin e tij e ka përfunduar duke lavdëruar princin e kurores saudite, Mohammed bin Salman, më fjalët se ka qenë “nder” të kalojë kohë me të.