Vaktet e gatshme të shitura në Britani mund të përmbajnë më shumë kripë se dhjetë porcione patate të skuqura nga McDonald’s, ka zbuluar një auditim i bërë atje
Hetimi, i kryer nga organizata “Action on Salt”, analizoi përmbajtjen ushqyese të mbi 1,500 vakteve të shitura nga më shumë se 30 marka dhe supermarkete në Mbretërinë e Bashkuar.
Rezultatet treguan se opsioni më i kripur përmban një sasi të frikshme prej 6.1 gramë kripë për racion – gati dy herë më shumë se uji i detit, dy pica margarita (5.2g) ose afro dhjetë porcione patatesh të skuqura në këtë zinxhir ushqimor të shpejtë.
Për krahasim, NHS (Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në MB) rekomandon që të rriturit të konsumojnë vetëm 6 gramë kripë gjatë gjithë ditës – për fëmijët kufiri është edhe më i ulët.
Një në pesë vakte të gatshme në shitje në Britani tejkalojnë kufijtë e rekomanduar ditorë për kripën, yndyrat dhe yndyrat e ngopura, sipas “Action on Salt”.
Madje, edhe disa vakte që duken të shëndetshme përmbajnë shumë më tepër nga të tria këto lëndë ushqyese sesa rekomandohet.
Ekspertët i quajtën gjetjet e këtij studimi si “shqetësuese” dhe “të papranueshme”, duke kërkuar që prodhuesit të ulin sasinë e kripës për të mbrojtur shëndetin publik.
Kripa e tepërt në organizëm shkakton mbajtje të ujit në gjak dhe rrit tensionin e gjakut.
Kjo, më pas, rrit rrezikun për sulm në zemër apo goditje në tru – dy nga shkaqet kryesore të vdekjeve në Britani, që marrin rreth 160,000 jetë çdo vit. Në SHBA, kjo shifër është pesëfish më e lartë.
Hulumtimi zbuloi se të gjitha vaktet e gatshme të prodhuara nga kuzhinieri dhe aktivisti për ushqimin e shëndetshëm Jamie Oliver kishin përmbajtje të lartë kripë – mbi 1.5g për 100g.
83% e tyre kishin gjithashtu përmbajtje të lartë yndyrash dhe yndyrash të ngopura, dhe të gjitha kishin përmbajtje të ulët fibrash.
Ndërkohë, vakti më i kripur ishte Royal’s Cottage Pie, i shitur nga zinxhirë si Sainsbury’s, me 6.12g kripë për porcion.
Royal kryesoi edhe me vaktin tjetër Chicken Tikka Masala me oriz me shafran, që përmbante pothuajse 4.7g kripë për porcion.
Vegetable Lasagne nga “Iceland’s Taste of Italy” kishte 3.9g kripë – mbi gjysmën e kufirit ditor të rekomanduar për një të rritur.
Në bazë të zinxhirit ushqimor, Iceland kishte përqindjen më të lartë të vakteve të kripura – 86% e produkteve të tyre ishin të pasura me kripë.
Pas tyre vinin Aldi (70%), Lidl (64%), dhe M&S e Sainsbury’s (54%) secili.
Morrisons performoi më mirë, me vetëm 40% të vakteve të tyre të larta në kripë.
U zbulua edhe një variacion i madh mes vakteve të të njëjtit lloj.
Për shembull, Free From Spaghetti Bolognese i Sainsbury’s kishte 4.35g kripë për porcion, ndërsa Kirsty’s Pasta Bolognese Gluten Free vetëm 0.5g – 8.5 herë më pak.
Vaktet moderne dhe “trendy” të markës Charlie Bingham nuk mbetën pas atyre të Jamie Oliver – 91% e tyre ishin të larta në kripë.
Nga 1,511 vakte të analizuara:
56% ishin të larta në kripë
42% të larta në yndyra të ngopura
71% të ulëta në fibra
1 në 5 ishin njëkohësisht të larta në yndyrë dhe kripë
Sonia Pombo, drejtore kërkimesh në “Action on Salt”, tha se objektivat vullnetare për reduktimin e kripës të vendosura që në vitin 2006 nuk po funksionojnë:
“Me mbi gjysmën e vakteve që kanë nivele të papranueshme kripë, shëndeti i konsumatorëve është në rrezik serioz, shpesh pa e kuptuar fare.”
“Nuk duhet të jetë kaq e vështirë të ushqehesh shëndetshëm. Qeveria duhet të ndërhyjë me objektiva të detyrueshëm për reduktimin e kripës dhe sanksione për moszbatim.”
Dr. Pauline Swift, kryetare e organizatës “Blood Pressure UK”, kërkoi gjithashtu veprim:
“Kripa e tepërt në ushqim lidhet direkt me rritjen e tensionit – faktori më i madh i rrezikut për goditje në tru, sëmundje zemre dhe veshkash – të gjitha të parandalueshme.”
“Qeveria duhet të veprojë tani për të vendosur objektiva më të ashpra për reduktimin e kripës.”
Prof. Bryan Williams OBE, zyrtar kryesor në “British Heart Foundation”, shtoi:
“Këto të dhëna shqetësuese tregojnë se nuk është gjithmonë e thjeshtë të gjesh vakte të gatshme me pak kripë.”
“Kompanitë ushqimore duhet të bëjnë më shumë për të ulur kripën në produktet e tyre.”
NHS paralajmëron se yndyrnat e tepërta, veçanërisht ato të ngopura, rrisin kolesterolin, duke rritur rrezikun për sëmundje zemre.
Në anën tjetër, fibrat ndihmojnë në tretje, parandalojnë kapsllëkun dhe lidhen me rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës, goditje në tru, diabet tip 2 dhe kancer të zorrës së trashë.
Vaktet e gatshme tani janë bërë pjesë përbërëse e dietës moderne britanike – sondazhet tregojnë se 3 nga 4 persona konsumojnë të paktën një të tillë në javë.
Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social tha:
“Po ndërmarrim masa për të trajtuar drejtpërdrejt dietat e pashëndetshme, përfshirë marrjen e lartë të kripës, dhe po zhvendosim fokusin nga trajtimi në parandalim për të lehtësuar presionin mbi NHS dhe për të ndihmuar njerëzit të jetojnë më gjatë dhe më mirë.”
“Kemi dhënë tashmë autorizime për të bllokuar hapjen e fast-food-eve pranë shkollave dhe së shpejti do të kufizojmë reklamat për ushqimet e pashëndetshme në TV dhe online.”
“Përmes planit tonë për ndryshim, do të nxisim më tej reduktimin e kripës, sheqerit dhe kalorive në shumë produkte të përditshme.”
Analiza e “Action on Salt” u bazua në produkte të mbledhura gjatë janarit të këtij viti.
Patrick Cairns, drejtori i përgjithshëm i kompanisë Charlie Bigham’s, mbrojti formulimin e produkteve të tyre:
“Te Charlie Bigham’s, shija vjen gjithmonë e para. Ne prodhojmë ushqime sa më të shijshme, duke dëgjuar me kujdes komentet e konsumatorëve për të përmirësuar recetat sipas shijeve të tyre.”
Megjithatë, ai shtoi se kompania ka ndërmarrë hapa për të reduktuar gradualisht nivelin e kripës në produktet e saj dhe se ky proces do të vazhdojë. /GazetaExpress/