Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur me shumicë votash të pranojë ankesën e Partisë Socialiste dhe të shpallë të pavlefshëm vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për diferencimin e votave të ardhura nga Greqia.
Sipas vendimit të ri, votat nga Greqia do t’i nënshtrohen numërimit nga grupet përkatëse, si çdo material tjetër zgjedhor. Partia Demokratike ka të drejtë të ankimojë këtë vendim në Kolegj Zgjedhor brenda afatit pesëditor.
Përfaqësuesja e PS-së argumentoi se Komisioneri nuk ka kompetencë ligjore për të ndaluar numërimin e këtyre zarfeve, ndërsa përfaqësuesi i PD-së sqaroi se opozita nuk ka kërkuar pavlefshmërinë e tyre, por vetëm veçimin e zarfeve që kanë problematika të identifikuara, derisa ato të hetohen.
“Kërkesa jonë është që këto zarfe të vendosen në një kuti të veçantë, për të mos penguar procesin e përgjithshëm të numërimit”, tha përfaqësuesi i PD-së, duke shtuar se “nuk mund të lejojmë që thasë me zarfe të mbushura nga patronazhistët të numërohen pa verifikim.”
Përfaqësuesja e PS-së reagoi duke mohuar çdo ndikim dhe duke thënë se shfaqja e një eksponenti të PS-së në ambientet e DHL nuk përbën provë ndërhyrjeje. Ajo shtoi se edhe në vende të tjera si Italia, qytetarët i kanë tërhequr vetë zarfet dhe i kanë dorëzuar personalisht.