string(114) "shkencetaret-amerikane-dhe-japoneze-ne-kerkim-te-sekretit-te-krijimit-gare-per-te-zbuluar-se-pse-ekziston-universi"

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 13:51

Shkencëtarët amerikanë dhe japonezë në kërkim të sekretit të krijimit, garë për të zbuluar se pse ekziston Universi

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 13:51

Diku brenda një laboratori të fshehur në Dakotë të Jugut, shkencëtarët amerikanë janë duke zhvilluar kërkimet për një nga pyetjet më të mëdha të shkencës; arsyen e ekzistencës së Universit.

Në një artikull të publikuar në BBC, thuhet se shkencëtarët amerikanë kanë nisur garë me një ekip tjetër shkencëtarësh japonez – që janë vite më përpara në kërkimet e tyre.

Edhe pse, teoritë aktuale të astronomisë nuk mund të shpjegojnë arsyen e krijimit të planetëve, yjeve apo galaktikave, të dy ekipet janë duke ndërtuar detektorë që studiojnë një grimcë nën-atomike të quajtur neutrino, me shpresën për të zbuluar përgjigjen.

Sipas BBC-së, shkencëtarët amerikanë në eksperimentin e quajtur Deep Underground Neutrino Experiment (DUNE), shpresojnë se përgjigja ndodhet thellë nën tokë.

Në këtë eksperiment bëhet e ditur se shkencëtarët udhëtojnë 1,500 metra nën sipërfaqe në tre zgavra të mëdha nëntokësore, të cilat drejtori shkencor i DUNE, Dr. Jaret Heise, i përshkruan si “katedrale të shkencës”.

Heise është përfshirë në ndërtim të këtyre zgavrave për gati dhjetë vjetë, ndërsa dihet se ambienti nën tokë izolon DUNE nga zhurma dhe rrezatimi i botës së jashtme.

Raportohet se ky projekt, tani është gati për një fazë tjetër.

“Jemi në prag të ndërtimit të detektorit që do të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë Universin, me instrumente që do të vendosen nga një bashkëpunim prej 1,500 shkencëtarësh të etur për të zbuluar pse ekzistojmë,” ka thënë Heise.

Shkencëtarët besojnë se çelësi për të kuptuar pse fitoi materia – dhe përse ekzistojmë – qëndron në studimin e një grimce të quajtur neutrino dhe në të kundërtën e saj, anti-neutrino.

Sipas artikullit, ata do të dërgojnë rreze grimcash nga thellësia e Illinois deri tek detektorët në Dakotën e Jugut, rreth 1,300 kilometra largësi. Kjo sepse gjatë udhëtimit, neutrino-t dhe anti-neutrino-t ndryshojnë lehtësisht.

E përmes këtij eksperimenti, shkencëtarët duan të zbulojnë se përse materia dhe anti-materia nuk u shuan në bashkëveprim, rrjedhimisht pse ne ekzistojmë si materie.

Ndërkohë, në anën tjetër të botës, shkencëtarët japonezë janë duke përdorur globet e artë që shkëlqejnë për të kërkuar të njëjtat përgjigje. Ato duken si një tempull shkencor, ndërsa shkencëtarët janë duke ndërtuar Hyper-K, një version më i madh dhe më i avancuar i detektorit ekzistues, Super-K.

Bëhet e ditur se ekipi japonez është gati të ndezë rrezet e neutrino-ve të tyre në më pak se dy vjet – disa vite përpara projektit amerikan.

Gara mes shkencetarëve është në zhvillim tani, por rezultatet pritet të dihen vetëm pas disa vitesh. E pyetja që pret të marrë përgjigje e që vazhdon të jetë mister është; çka ndodhi në fillim të gjithçkaje që solli ekzistencën tonë.