Përderisa presidenti amerikan ndodhet në Oborrin Mbretëror Saudit, demokratët kryesorë në Senatin e ShBA-së janë duke u munduar të nxisin për një votim në sallën e Senatit për të censuruar planin e Donald Trumpit që të pranojë një avion luksoz prej 400 milionë dollarësh nga familja mbretërore e Katarit – për ta përdorur fillimisht si Air Force One dhe më vonë si pjesë të bibliotekës së tij presidenciale.
The Guardian raporton se, katër senatorë demokratë nga komisioni i marrëdhënieve me jashtë kanë deklaruar të hënën se do të kërkojnë votim gjatë kësaj jave. Ata theksuan se zyrtarëve të zgjedhur, përfshirë presidentin, nuk u lejohet të pranojnë dhurata të mëdha nga qeveri të huaja pa miratim nga Kongresi.
Cory Booker (New Jersey), Brian Schatz (Hawaii), Chris Coons (Delaware) dhe Chris Murphy (Connecticut) e cilësuan dhuratën e raportuar si një konflikt të qartë interesi dhe një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
“Air Force One nuk është vetëm një avion – është një simbol i presidencës dhe i vetë Shteteve të Bashkuara,” thuhet në deklaratën e përbashkët, duke shtuar se, “askush nuk duhet të përdorë shërbimin publik për përfitime personale përmes dhuratave të huaja.”
Lajmi për këtë dhuratë të mundshme shkaktoi kritika të ashpra nga demokratët, ndonëse qeveria e Katarit deklaroi se asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë ende. Megjithatë, duket se Trump e konfirmoi lajmin të dielën, duke shkruar në rrjete sociale se “transferimi po bëhet në mënyrë shumë publike dhe transparente.”