Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit vijon në pesë qarqe të vendit, ndërsa ka përfunduar tashmë në shtatë të tjera. Sipas të dhënave më të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë numëruar 4,954 nga 5,225 kuti votimi në total.
Partia Socialiste kryeson në rang kombëtar me 707,774 vota, që përbëjnë 52.2% të votave të deritanishme, duke siguruar një avantazh të dukshëm ndaj kundërshtarëve. Koalicioni PD-ASHM mban vendin e dytë me 465,725 vota, ose 34.3%.
Në vendin e tretë renditet koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” me 49,326 vota, ndërsa PSD ndjek me 46,042 vota. Partia Mundësia ka siguruar 39,936 vota, duke mbajtur vendin e pestë.
Ndër partitë e tjera, Lëvizja Bashkë ka marrë 19,121 vota, kurse KEA ka arritur 18,041 vota. Në fund të renditjes janë: DZH me 5,243 vota, AKSH me 2,718, LA me 1,971 dhe ADR me 945 vota.