string(66) "caji-dhe-kafja-e-diplomacise-trump-brenda-oborrit-mbreteror-saudit"

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 11:36

Çaji dhe kafja e diplomacisë, Trump brenda Oborrit Mbretëror Saudit

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 11:36

Vizita shtetërore e presidentit amerikan ka hyrë tashmë në fazën kryesore, teksa Donald Trump dhe Mohammed bin Salman kanë zënë vendet e tyre në krye të sallës blu ceremoniale brenda Oborrit Mbretëror Saudit.

Sipas BBC-së, presidenti amerikan pritet të marrë pjesë në një ceremoni me çaj dhe kafe në sallën blu ceremoniale, një drekë me drejtues ekzekutivë, takime dypalëshe dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje.

Kujtojmë se deri më tani, këto shtete kanë premtuar shumë, “investime trilionëshe në ekonominë amerikane dhe shpenzim të shumave kolosale për sistemet e armëve amerikane”. E duket se pas kësaj strategjie të hartuar me kujdes për të joshur Trumpin, ekziston edhe dëshira e këtyre shteteve që të forcojnë dhe formalizojnë pozicionet e tyre si partnerë të domosdoshëm të sigurisë dhe ekonomisë së ShBA-së, dhe për të nxjerrë sa më shumë përfitime për veten e tyre.

CNN shkruan se me Trumpin në detyrë, ata shohin atë që një zyrtar i Gjirit e ka quajtur “mundësi që vjen një herë në jetë” për të arritur objektivat e vendit të tij.  Megjithatë, dihet se secili prej tre kombeve që Trump po viziton ka listën e vet të prioriteteve.

Më poshtë ju sjellim shkurtimisht atë çfarë duan vendet e Gjirit nga Trumpi dhe mënyra se si po veprojnë për ta arritur.

Nënshkrimi i një pakti sigurie ShBA – Arabi Saudite

“Siguri, siguri dhe siguri” është ajo që Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit kërkojnë më shumë nga vizita e Trump,” është shprehur Ali Shihabi, një autor dhe komentator mbi politikën dhe ekonominë e Arabisë Saudite, për CNN.

Kujtojmë se, vitin e kaluar, ShBA-të dhe Arabia Saudite iu afruan finalizimit të një pakti historik për mbrojtje dhe tregti – por marrëveshja ngeci për shkak të këmbënguljes saudite që Izraeli të angazhohej në një rrugë drejt shtetësisë palestineze.

Emiratet e Bashkuara Arabe, kërkesë mbi Inteligjencën Artificiale

CNN shkruan se, ndoshta më shumë se çdo shtet tjetër i Gjirit, Emiratet e Bashkuara Arabe i shohin investimet si pikë kryesore në strategjinë e tyre për thellimin e lidhjeve me ShBA-në – dhe kanë para për ta bërë këtë. Madje, një ndër vendet më të pasura në botë për frymë, Abu Dhabi ka premtuar triliona në investime amerikane.

Dihet se në muajin mars, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan një plan investimi prej 1.4 trilion dollarësh gjatë 10 viteve, të përqendruar në inteligjencën artificiale, gjysmëpërçuesit, prodhimin dhe energjinë. Ndërsa, sipas ambasadës së vendit në ShBA, aktualisht investimet ekzistuese kapin vlerën e 1 trilion dollarëve.

“Emiratet e Bashkuara Arabe shohin një mundësi të vetme në jetë për t’u bërë një kontribues i rëndësishëm në inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e përparuar”, ka thënë për CNN Anwar Gargash, këshilltar diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shtur se, “angazhimi për të investuar 1.4 trilionë dollarë… përputhet me qëllimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të diversifikuar ekonominë larg varësisë së tepërt nga hidrokarburet dhe për të siguruar prosperitet për vendin në të ardhmen.”

Por, një gjë e tillë – të jenë liderë në Inteligjencë Artificiale deri në vitin 2031- nuk është e lehtë të arrihet pa mikroçipat e zhvilluar amerikanë.

Diplomacia globale e Katarit

Katari është kombi arab i Gjirit me lidhjet më të formalizuara të sigurisë me ShBA-në. Dihet se vendi strehon instalimin më të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme, të cilin Departamenti i Shtetit e përshkruan si “të domosdoshëm” për operacionet ushtarake amerikane në rajon.

Vitin e kaluar, ShBA-të arritën në heshtje një marrëveshje që zgjat praninë ushtarake të vendit në bazën e gjerë në Katar për 10 vjet të tjera.  E poashtu është ndryshuar një marrëveshje  bashkëpunimi e vitit 1992 me ShBA-në, e cila synon të forcojë më tej partneritetin e tyre të sigurisë.

Kujtojmë se në vitin 2022, administrata Biden e cilësoi Katarin si një Aleat të Madh Jo-NATO, një titull që u jepet miqve të ngushtë që kanë marrëdhënie strategjike pune me ushtrinë amerikane.

E duke qenë se Katari ka qenë një ndërmjetës kyç në një numër konfliktesh – nga lufta në Gaza deri në Afganistan. Sipas CNN, ekspertët thonë se kjo është pjesë e një përpjekjeje të vendit për të mbetur i rëndësishëm në sytë e Uashingtonit.

Sipas ekspertëve, në fund të fundit vizita e Trumpit, ka të bëjë me atë se çka ShBA mund të nxjerrë nga shtetet e Gjirit, dhe secili nga kombet që do të vizitohet është në pritje të marrëveshjeve të reja në dobi të të dyja palëve.