Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se qeveria e Serbisë nuk ka përmbushur asnjë nga reformat që kishte premtuar në dhjetor, duke shprehur pakënaqësi të thellë me situatën aktuale atje.
Deklaratat e saj u dhanë gjatë një debati në Parlamentin Evropian për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të hënën në Bruksel, raporton portali European Western Balkans (EWB).
“Nuk jam e kënaqur me atë që po shoh në Serbi. Kryeministri i ri dhe kryetarja e Kuvendit më premtuan zbatimin e shpejtë të reformave, të njëjtin premtim e dha edhe presidenti Vuçiq ndaj presidentes së Komisionit Evropian dhe presidentit të Këshillit Evropian në fund të marsit, por asgjë nuk ka ndodhur. Do të shohim se si do të veprojmë më tej,” u shpreh Kos.
Ajo theksoi se gjatë një vizite të saj në Beograd, i ka bërë të qartë presidentit Vuçiq se nga dhjetori e deri më tani nuk është përmbushur asnjë premtim, ndonëse ai dhe qeveria serbe pretendojnë se janë të përkushtuar për reforma.
Në lidhje me mundësinë e vizitës së Vuçiqit në Moskë më 9 maj, Kos tha se i ka thënë atij se “9 maji i vitit 1945 nuk është i njëjtë me 9 majin e vitit 2025”, duke shtuar se për të do të jetë shumë e vështirë të mbrojë interesat e Serbisë nëse presidenti i saj viziton kryeqytetin e Rusisë në këtë kohë.
Komisionerja Evropiane theksoi se për Serbinë është jetike përmbushja e reformave në tre ligjet mediale, zgjedhja e një Këshilli të ri për Rregullatorin e Mediave Elektronike, si dhe ndryshimi i legjislacionit zgjedhor, për të cilin tha se është “i papërshtatshëm sipas vlerësimit jo vetëm të Komisionit Evropian, por edhe të Komisionit të Venecias”.
Sa i përket ndarjes së fondeve nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, Kos tha se aktualisht po shqyrtohet nëse Serbia duhet t’i përfitojë ato apo jo. “Nuk jam 100 për qind e sigurt se Serbia po ndjek rrugën evropiane,” tha ajo.
Ajo shtoi se dëshiron që Serbia më në fund të tregojë vepra, jo vetëm fjalë dhe premtime boshe.
Në fund, Kos iu referua edhe protestave aktuale në Serbi, duke theksuar se kërkesat e qytetarëve janë në përputhje të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian. “Protestuesit kërkojnë sundim të ligjit, liri të mediave, gjyqësor të pavarur, luftë kundër korrupsionit dhe transparencë në prokurimet publike – këto janë vlera që i përfaqëson BE-ja,” përfundoi ajo. /Danas