Në mesnatë ka skaduar ultimatumi i Bashkimit Evropian drejtuar presidentit rus Vladimir Putin që të pranojë një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, në të kundërtën janë paralajmëruar sanksione të reja të ashpra ekonomike. Rusia nuk ka reaguar ende ndaj këtij ultimatum, ndërsa luftimet vazhdojnë me intensitet në disa rajone të Ukrainës.
Plani për armëpushim, i propozuar nga Ukraina, BE-ja dhe SHBA-ja, është mbështetur edhe nga Kina. Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në bisedimet e mundshme paqësore mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin, që janë paraparë të mbahen më 15 maj në Stamboll, me ndërmjetësimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Zelensky ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në Stamboll dhe ka deklaruar se do të takohet vetëm me Putinin, duke shpresuar që edhe Trump të jetë i pranishëm. Ai ka theksuar se Ukraina është e gatshme për dialog të drejtpërdrejtë dhe serioz, por vetëm nëse Rusia ndalon sulmet dhe pranon një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar.
Nga ana tjetër, Trump përmes përfaqësuesit të tij Steve Witkoff ka dhënë ultimatum për të dyja palët – ose të fillojnë bisedimet serioze për paqe, ose SHBA-ja do të tërhiqet nga procesi. Witkoff e ka quajtur luftën “të marrë” dhe ka shtuar se ajo nuk do të kishte ndodhur pa “manipulime zgjedhore”.
Në terren, Rusia ka vazhduar sulmet me dronë dhe raketa, duke shkaktuar viktima civile dhe ushtarake. Dy persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme si Donjeck, Sumy, Herson, Harkiv dhe Zaporizhzhia. Ukraina, ndërkohë, ka rrëzuar 10 dronë rusë gjatë natës.
BE-ja ka paralajmëruar se më 14 maj do të shpallë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë nëse Moska nuk e respekton armëpushimin. Masat do të përfshijnë kufizime më të ashpra mbi eksportet e energjisë, ndalimin e operimit të “flotës së errët” ruse dhe bllokimin e mëtejshëm të aseteve shtetërore ruse.
Grupi diplomatik Wemair+, i përbërë nga Franca, Gjermania, Polonia, Italia, Spanja, Britania dhe Komisioni Evropian, është koordinuesi kryesor i këtyre përpjekjeve dhe ka dalë me deklaratë të përbashkët në Londër duke theksuar domosdoshmërinë e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Për momentin, bota po pret nëse Putin do të pranojë ftesën për takim në Stamboll dhe nëse Rusia do të respektojë kërkesën për armëpushim, ndërkohë që tensionet dhe diplomacia arrijnë kulmin.