Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se mazhoranca po vazhdon të ketë kokëfortësi në Kuvendin e Kosovës, duke mos lejuar konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve tjera.
“Ne po shohim që ka një kokëfortësi nga mazhoranca e deritashme, s’ka asnjë ndryshim. Bile po shpik edhe forma të ndryshme për të mos e qitur në votim kandidaten e tij, që po shihet qartë që po dështon. Pavarësisht sa i ka numrat në Kuvend s’janë të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit. Është kokëçarje e tallje me qytetarët. pse kjo kokëfortësi nga kjo parti politike? Së paku edhe për të ndërruar kandidatin”.
“Po ndihemi sikur të jemi në një çerdhe të fëmijëve. Kokëfortësia s’po lejon që Kosova të ecë përpara dhe të formojnë institucionet, si dhe të punojë për premtimet e bëra në fushatë”.
Ai tha se shpreson që edhe Vetëvendosje t’i përgjigjet ftesës për takim nga presidentja Vjosa Osmani.
“Shpresoj që të gjithë të ulim egot dhe të shikojmë me përgjegjësinë më të madhe dhe të tejkalojmë. Edhe partia që e ka fituar 48 mandate dhe kështu të kemi një rezultat që i përgjigjet situatës politike. Dëshirojmë të bëjmë zgjidhje, por zgjidhja është në dorën e fituesit të zgjedhjeve”./Express/