Pas takimit të mbajur në Londër, ministri i Jashtëm i Ukrainës ka kritikuar Rusinë duke thënë, se po “injoron plotësisht thirrjet për armëpushim” me sulme të vazhdueshme.
Sipas The Guardian, ministri Sybiha ka shtuar se “Moska po shpërdoron një tjetër mundësi për t’i dhënë fund vrasjeve”.
“Rusët po e injorojnë plotësisht ofertën për një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm, ndërsa po vazhdojnë të sulmojnë pozicionet ukrainase përgjatë vijës së frontit. Moska shpërdoron një tjetër mundësi për t’i dhënë fund vrasjeve. Kjo tregon edhe një herë se qëllimi i vetëm i Rusisë është të zgjasë luftën”, është shprehur ai.
Tutje, ministri ka theksuar se Ukraina është duke bërë çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i dhënë një shans diplomacisë, duke theksuar edhe “sfidën” e Zelenskyt ndaj Putinit për t’u takuar personalisht, për të cilin ai thotë se “ende nuk ka pasur përgjigje”.
Kujtojmë se në takimin e mbajtur në Londër, liderë evropianë diskutuan sanksione të reja të mundshme për Rusinë, mbi “sektorët bankarë, të bankës qendrore dhe të energjisë”, si dhe paketa të reja ndihme për mbrojtje.
Për fund, ministri ukrainas ka shtuar se, “Putini duhet të kuptojë pasojat e refuzimit të përpjekjeve për paqe dhe vazhdimit të luftës”, ndërsa ka falenderuar aleatët për mbështetjen e vazhdueshme.