Pas negociatave fundjavën e kaluar, ShBA-të dhe Kina kanë rënë dakord të ulin ndjeshëm tarifat për mallrat e njëra-tjetrës, në një “pauzë 90-ditore”.
Duke folur në Gjenevë, sekretari i thesarit Scott Bessent ka njoftuar se, “të dyja palët do t’i ulin tarifat e tyre me 115%”, raporton The Guardian.
Ky është një de-eskalim i rëndësishëm në luftën tregtare që shpërtheu muajin e kaluar, ku ShBA-të kishin ngritur tarifat ndaj Kinës në 145%, me Pekinin që është hakmarrë me tarifa prej 125% për importet amerikane.
Para gazetarëve Bessent ka thënë se të dyja palët kanë treguar respect të madh gjatë bisedimeve, ndërsa ka shtuar se “të dyja palët kemi interes për një tregti të ekuilibruar”.
Ndëkohë, Shtëpia e Bardhë ka publikuar një deklaratë të përbashkët që përshkruan marrëveshjen e arritur në takimin ekonomik dhe tregtar ShBA-Kinë të mbajtur në Gjenevë.
Nga kjo marrëveshje konfirmohet se të dyja palët po i ulin tarifat reciproke për mallrat e njëra-tjetrës me 115 pikë përqindjeje dhe po “ecin përpara në frymën e hapjes së ndërsjellë, komunikimit të vazhdueshëm, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë”.