Partia Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, i është drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar që të shfuqizojë vendimin për lënien mënjanë të fletëve të votimit nga Greqia.
KQZ e mori këtë vendim pas ankesës së Partisë Demokratike, që pretendonte se kishte parregullsi në procesin e votimit nga diaspora në Greqi, shkruaj Euronews.al, transmeton Klankosova.
Pas kësaj, KQZ pranoi të ndante me një anë votat e emigrantëve nga Greqia, për të cilat PD kërkoi që të mos numëroheshin.
Megjithatë, PS ka reaguar, duke theksuar se ky akt është i pavlefshëm dhe i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, duke bërë thirrje për shfuqizimin e tij.
Sipas PS-së, vendimi është në shkelje të nenit 124/1, pika 2 të Kodit Zgjedhor dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e datës 11 Maj 2025.
Në ankimimin e saj, PS argumenton se Komisioneri i KQZ-së nuk ka marrë masat e duhura dhe ka trajtuar votat e shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi si të pavlefshme.
Gjithashtu, PS thotë se kjo ka ndodhur pa ndonjë justifikim ligjor dhe përkundër faktit që votat e emigrantëve duhet të kenë të njëjtën vlerë me ato të shtetasve shqiptarë që jetojnë në shtetet e tjera.
Aktualisht, votat e diasporës në parkun olimpik “Feti Borova” numërohen përkatësisht sipas qarqeve, por pa përfshirë ato të Greqisë.
Partia Socialiste kërkon që të rikthehet procesi i numërimit të votave nga Greqia, duke e cilësuar këtë akt si të pabazuar dhe të dëmshëm për procesin zgjedhor të 11 majit.