Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS, Silda Çepe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të të votojnë, ndërsa kanë ngelur pak orë.
Deklarata e zëdhënëses për zgjedhjet pranë PS, Silda Çepe:
Të nderuar qytetarë,
Deri në mbylljen e kutive të votimit kanë mbetur edhe pak orë – dhe çdo votë e juaja ka rëndësi.
Në këtë ditë të jashtëzakonshme për demokracinë tonë, secili prej jush ka mundësinë të vendosë nëse Shqipëria do të ecë përpara apo do të shkojë në drejtim të paditur.
Prandaj:
I bëjmë thirrje çdo prindi, çdo nëne e babai, gjysheje e gjyshi që të mendojnë për fëmijët e nipërit e tyre e të votojnë.
I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi e çdo profesionisti, çdo punëtori e fermeri që me djersën e mundin e tyre e kanë çuar këtë vend përpara që të dalin e të votojnë.
I bëjmë thirrje të rinjve e të rejave që besojnë tek Shqipëria moderne e europiane që të dalin të votojnë,
Votoni!
Dilni dhe votoni!
Merrni me vete një të afërm, një mik, një fqinj – dhe votoni për Shqipërinë që meritoni.
Vota juaj është fuqia juaj. Përdoreni atë.