Sezoni i Eric García-s te FC Barcelona ka qenë një vërtetë “rollercoaster”.
Ajo që nisi si një vit ku ai dukej i dënuar për të mbetur jashtë planeve, ka marrë një kthesë të papritur. Mbrojtësi katalanas, kontrata e të cilit skadon në qershor të vitit 2026, ka arritur të përmbysë situatën dhe sot është kthyer në një nga lojtarët më të përdorur nga Hansi Flick, trajneri që ka treguar besim të plotë në aftësitë dhe shumëanshmërinë e tij.
Në moshën 24-vjeçare dhe me mbi 40 paraqitje këtë sezon, Eric ka treguar se mund të kontribuojë shumë më tepër sesa pritej.
Aftësia e tij për t’u përshtatur në kontekste të ndryshme mbrojtëse dhe angazhimi i tij i vazhdueshëm e kanë bindur Flick-un, i cili tani e sheh si një pjesë strategjike të ekipit. Madje, trajneri gjerman e ka bërë të qartë për drejtuesit e klubit se nuk dëshiron ta humbasë gjatë merkatos së verës.
Në dimër, kur roli i tij ishte i kufizuar, Eric vendosi të qëndronte dhe të luftonte për një vend në formacion. Kjo zgjedhje tani duket se ka qenë shumë e mençur.
Paraqitjet e tij kanë zgjuar interesin e disa skuadrave, përfshirë Como 1907, ku Cesc Fàbregas e ka lavdëruar publikisht. Megjithatë, gjithçka tregon se prioriteti i tij është të vazhdojë te Camp Nou, ku ai ndjehet i mbështetur si kurrë më parë.
Barcelona, besnike ndaj politikës së saj për të mos lejuar lojtarët të hyjnë në vitin e fundit të kontratës pa rinovuar, duhet të veprojë shpejt. Javët e ardhshme janë vendimtare për të përcaktuar të ardhmen e një lojtari që nga një opsion i dytë është shndërruar në një pjesë të pazëvendësueshme të projektit të ri të Barçës.
Eric García tani mban letrat në dorë dhe do të vendosë se cilën rrugë do të ndjekë. Ajo që është e sigurt është se Hansi Flick nuk dëshiron ta humbasë./GazetaExpress/