Në mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Pilafe të Dibrës, kandidatët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Xhelal Mziu dhe Xhemal Gjunkshi, ndaluan tre automjete, duke pretenduar se personat që udhëtonin me to po shpërndanin para në këmbim të votave për Partinë Socialiste.
Ngjarja ndodhi në ditën e heshtjes zgjedhore dhe u raportua nga vetë Gjunkshi në sallën operative të policisë. Ai gjithashtu pretendoi se një nga personat e ndaluar ishte larguar me vrap, duke qëlluar një herë me armë në ajër.
Pas njoftimit, policia mbërriti në vendngjarje dhe kreu kontroll mbi mjetet, por nuk gjeti asgjë të paligjshme, përveç disa tollonave për karburant. Sipas autoriteteve, deri tani nuk ka prova që vërtetojnë përdorimin e armës, ndërsa hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe SPAK.