Hansi Flick u bëri thirrje lojtarëve të Barcelonës të harrojnë eliminimin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dhe të rikthehen fuqishëm ndaj Real Madridit të dielën, në një El Clasico vendimtar të La Ligas.
Barça kryeson kampionatin spanjoll me katër pikë ndaj rivalëve dhe kampionëve në fuqi Real Madrid, me vetëm katër ndeshje të mbetura. Katalanasit u eliminuan në Europë të martën nga Interi i Milanos, duke i dhënë fund ëndrrës për një katërshe historike.
“Foluam për atë që ata (lojtarët) mendojnë, çfarë ndiejnë, është e rëndësishme në një grup që të flasim për këto gjëra,” tha Flick në një konferencë shtypi të shtunën. “Të gjithë e dinë që në një Clasico duhet të jesh në nivelin më të lartë, kjo është ajo që duhet të bëjmë.
Ne duam të jemi aktivë, duam të shohim skuadrën me intensitet në fushë, dominuese si zakonisht, dhe e dimë që ndaj nesh do të jetë një skuadër fantastike si Real Madrid.”
Barcelona i ka mposhtur Real Madridin në të tre Clasico-t e këtij sezoni, duke filluar me një fitore 4-0 në La Liga në Santiago Bernabeu në tetor. Katalanasit më pas e shkatërruan Madridin 5-2 në finalen e Superkupës së Spanjës në janar dhe i mundën 3-2 pas shtesave në finalen e Kupës së Mbretit në prill.
Edhe nëse Barcelona humb, ajo do të mbetet ende në krye të tabelës me një pikë epërsi, por Flick tha se skuadra e tij synon sërish fitoren ndaj Los Blancos. “Ne gjithmonë hyjmë në ndeshje për ta fituar atë, pa marrë parasysh tabelën,” shtoi ai. “Do të fokusohemi te kjo ndeshje, do të japim gjithçka për të marrë tre pikët.
Clasico është e rëndësishme për tifozët tanë, për të gjithë, për Barçën, për lojtarët, për mua, për stafin tim teknik, është e mrekullueshme të luash kundër tyre dhe të konkurrosh me ta.”
Barcelona mori një lajm të mirë pasi Alejandro Balde dhe Marc Casado u shpallën të gatshëm për lojë të shtunën pas lëndimeve. Mesfushori Casado kishte munguar për gati dy muaj pas një dëmtimi të ligamenteve të gjurit, ndërsa Balde kishte munguar muajin e fundit për shkak të një problemi në kofshë. Robert Leëandoëski u rikthye nga dëmtimi duke luajtur si zëvendësues kundër Interit të martën.
Flick tha se të tre lojtarët ka më shumë gjasa të jenë në stol të dielën sesa të përfshihen në formacionin titullar. “Pas kësaj ndeshjeje kemi edhe tre ndeshje të tjera,” theksoi trajneri./GazetaExpress/