string(76) "pd-dhe-koalicioni-euroatlantik-shfuqizimi-i-gjobave-shkelje-e-kodit-zgjedhor"

Shqiperi

Gazeta Express

10/05/2025 10:31

PD dhe Koalicioni Euroatlantik: Shfuqizimi i gjobave, shkelje e Kodit Zgjedhor

Shqiperi

Gazeta Express

10/05/2025 10:31

Partia Demokratike reagoi sot pas vendimit të Këshillit të Ministrave për faljen e gjobave të paekzekutuara për periudhën nga data 1 janar 2015, deri më 30 nëntor 2024.

Bëhet fjalë për masat administrative të vendosura nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.

Me anë të një deklarate për shtyp PD thekson se, “në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më antieuropiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës. I njëjti që i terrorizoi për 12 vjet me taksa, gjoba dhe përndjekje, tani bën si i mëshirshëm”.

“Nuk ka asnjë pikë dhembshurie në zemrën e tij, por vetëm oreks për të prishur garën, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, për të bërë hile, duke përdorur makinerinë e shtetit në ndihmë të partisë”, shton PD.

“Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme”, vijon PD.

PD i drejtohet edhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

“Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?! Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur taskforca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje?”, thuhet në deklaratën e PD.

“Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit.
Premtimi ynë qëndron, por asnjëherë në shkelje të ligjit, dhe në prishje të barazisë në zgjedhje”, thekson PD.

“Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë. Edi Rama është një gjobëvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e inceneratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd”, përfundon deklarata e PD.

Ndërkohë, Koalicioni Euroatlantik ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama, për vendimin e Këshillit të Ministrave për faljen e gjobave administrative të vëna nga qeveria nga viti 2015 deri në vitin 2024.

Kallëzimi është depozituar nga kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik për qarkun e Tiranës, Rajmond Dervishi, i cili shprehet se VKM është në shkelje të rëndë të Kodit Penal, Kodit Zgjedhor dhe të parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tij, miratimi i kësaj VKM-je në këtë fashë kohore ka për qëllim deformimin e vullnetit të zgjedhësve për ti gënjyer për një grusht votash. Dervishi gjithashtu thotë se kryeministri është trembur nga sondazhet reale pasi nuk kap dot 71 mandate.