Ne një tubim përmbyllës në qendër të Tiranës, Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshimin më 11 maj, duke premtuar një “Shqipëri të ëndrrës” për të rinjtë, pension më të lartë, arsim modern dhe partneritete të reja ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij përmbyllës, lideri i Partisë Demokratike theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, duke iu drejtuar veçanërisht brezit të të moshuarve dhe të rinjve.
“Unë dua t’ju bëj një thirrje mijëra burrave dhe grave, fisnikë, flokëthinjurve që shkrinë jetën e tyre për Shqipërinë: Bashkohuni më 11 maj, votoni ndryshimin. Vota juaj do të jetë votë për dinjitetin tuaj, sepse vota juaj do të jetë votë për të ndëshkuar ata të pamëshirë që në mënyrë çnjerëzore ju poshtëruan ju, ju detyruan ju, njerëz fisnikë, të qani me lot të ftohta mjerimi”, deklaroi Berisha.
Ai prezantoi një sërë zotimesh, ndër të cilat rritja e menjëhershme e pensioneve dhe dyfishimi i buxhetit për arsimin brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
“11 maj, ju votoni që brenda 100 ditëve Shqipëria të mos ketë pension nën 200 euro. Ju garantoj se ky vrap nuk do të ndalet derisa ju të paguheni më mirë se të gjithë pensionistët e rajonit,” u shpreh ai.
Duke iu drejtuar të rinjve që votojnë për herë të parë, Berisha nënvizoi:
“Të rinj dhe të reja, ju që votoni më 11 maj për herë të parë, keni një fat të bardhë. Po të gjithë ju të tjerët që shkoni më 11 maj, vota juaj ka peshën e jetës suaj, ka peshën e të ardhmes tuaj, të ëndrrës tuaj të bukur. Në 100 ditë ne hedhim bazat që çdo i ri dhe e re të mendojë, të realizojë ëndrrën shqiptare në Shqipëri.”
Ai garantoi investime në arsim dhe modernizimin e shkollave:
“Zotimi ynë është se dyfishohen fondet për arsimin, shkollat do të modernizohen me teknikat më të avancuara digjitale dhe asnjë fëmijë nuk do të mbetet analfabet.”
Në nisje të fjalimit, Berisha përshëndeti kancelarin e sapozgjedhur të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe deputetin e Bundestagut gjerman, Peter Beyer, i pranishëm në miting.
“Do t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta deputetit të Bundestagut gjerman Peter Beyer, i cili vjen sot këtu për të mbështetur fitoren e opozitës shqiptare dhe Partinë Demokratike. Përshëndes kancelarin Merz që pata rastin ta përshëndes në Valencia. Zgjedhja e kancelarit Merz në udhëheqje të Gjermanisë dhe Europës konsiderohet një fat i madh” , tha Berisha.
Ai shtoi se një qeveri e drejtuar nga Partia Demokratike do të vendosë “bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë gjermane” dhe do të kthejë fokusin te eksporti i produkteve shqiptare.
“PD do të vendosë bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë gjermane. Do të eksportojmë në Gjermani produktet shqiptare dhe jo krim siç është sot.”
Në një pjesë më retorike të fjalës së tij, Berisha kujtoi momentin e rikthimit të tij politik dhe përmendi mbështetjen që, sipas tij, ka marrë nga SHBA.
“Mirënjohje të pakufishme për vendimin që morët për rikthimin e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Ditën e parë, në konferencën e parë të shtypit e shkallmova Edi Ramën duke i rënë tavolinës me grushte. Të garantoj se nesër në mëngjes, ai do t’i bjerë tavolinës me kokë. Ne jemi mirënjohës për vendimin që more për të na ndihmuar. PD do të vendosë marrëdhëniet më të ngushta me administratën e Trump në të gjitha fushat”, përfundoi ai.
Strategu i fushatës së PD-së, Chris LaCivita ju bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Berishën për të shpëtuar vendin nga korrupsioni.
“Faleminderit Shqipëri për mbështetjen që na ke dhënë. Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Jo vetëm për ëndrrat tuaja, por edhe për pozicionin e këtij vendi në arenën ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të lejojë më edhe një mandat tjetër për Edi Ramën. Korrupsioni, gjendja ekonomike, ka shkatërruar familjet. Gjithçka që përkufizon lumturinë tuaj, Edi Rama ua ka marrë. Ju keni tani një shans historik të tregoni që populli shqiptar e refuzon politikën e së kaluarës dhe ju nuk do të reshtni së luftuari për familjet tuaja”, tha ai.
“Merrni me vete familjarët, miqtë dhe lëreni pa punë Edi Ramën. Me Shqipërinë e re, me Berishën, do të keni një njeri që ka shpëtuar jetë. Besojini një mjeku që do të shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë. Në një plan real që do të rregullojë ekonominë dhe do t’i japë fund korrupsionit. Vij sot si amerikan, i cili sheh një të ardhme të ndritur për një vend të madh. E gjithë bota i ka sytë nga këto zgjedhje”, tha Chris LaCivita.