Gara e çiklizmit Giro d’Italia, ka nisur sot për herë të parë në Shqipëri, duke e kthyer vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare sportive. Kjo ngjarje madhore do të zgjasë deri më 11 maj, me tre etapa të rëndësishme që përfshijnë qytete të ndryshme shqiptare.
Etapa e parë e garës starton rreth orës 13:10 nga Porti i Durrësit, me itinerarin që kalon nëpër Kavajë, Rrogozhinë, Bradashesh, Mullet, TEG, Sauk, Surrel dhe përfundon në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, rreth orës 17:03.
Për mbarëvajtjen e garës, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie, përfshirë bllokime të qarkullimit dhe ndalime parkimi në disa zona kyçe të Tiranës.
🔸 Nga ora 13:00 deri në 18:00, ndalohen lëvizja dhe parkimi i automjeteve nga fshati Gracen deri te rreth-rrotullimi i TEG, duke përfshirë edhe rrugët kryesore si Rruga e Elbasanit, Bulevardi Bajram Curri, rrugët Muhamet Deliu, Ali Shefqeti, si dhe segmentet drejt Freskut, Saukut dhe Surrelit.
🔸 Bllokime të tjera përfshijnë edhe rrugët Sotir Caci, Xhanfize Keko, bulevardin Zhan Dark dhe Dëshmorët e Kombit.
Etapa e dytë zhvillohet po në Tiranë, me ndalim parkimi nga ora 08:00 deri në 10:00 në zona si Zogu i Zi, rruga e Durrësit, Fortuzi dhe pas Pallatit të Kulturës.
🔹 Nga ora 10:00 deri në 18:00, ndalohet qarkullimi në Sheshin Skënderbej, Bulevardin Gjergj Fishta, Bajram Curri, Muhamet Gjollesha, Ibrahim Rugova dhe segmente të tjera të qytetit.
Etapa e tretë do të zhvillohet në Vlorë, duke sjellë sërish emocione për sportdashësit dhe promovim të Shqipërisë si destinacion sportiv ndërkombëtar.