Ashtu si në vitin 2021, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vendosur të bëjë një parashikim publik për rezultatin e zgjedhjeve, vetëm pak ditë para mbajtjes së tyre. Nga Kuçi i Vlorës, ku ndodhej në një takim elektoral, Rama “firmosi” simbolikisht në një mbulesë tavoline numrin e mandateve që pret të marrë PS më 11 maj.
Sipas tij, socialistët kanë të sigurta 78 mandate, nga 74 që mbajnë aktualisht, dhe projeksioni maksimal mund të shkojë deri në 88 vende në Kuvend. Kryesocialisti është i bindur se do të përmbysë rezultatin në disa qarqe, duke nisur nga Dibra, ku PS synon të marrë 3 mandate nga 2 që kishte në 2021, duke ia marrë një PD-së.
“74 është aktuale nuk lëviz, minimum 1 në Dibër, plus 1 në Shkodër, plus 1 në Fier, plus dhe 1 në Elbasan 1, ky është minimum 78 nën 79 nuk bie Partia Socialiste”, tha Rama duke e quajtur parashikimin, “Momerandumi i Kuçit”.
Parashikimin në zonën e Kuçit, kreu i selisë rozë e ka kthyer në traditë sa herë zhvillohen zgjedhje.