Bill Gates ka njoftuar se do të dhurojë 99% të pasurisë së tij të mbetur nga teknologjia në Fondacionin Gates, i cili do të mbyllet në vitin 2045, shumë më herët nga sa ishte parashikuar. Kjo pasuri sot vlerësohet të jetë në rreth 107 miliardë dollarë, ndërsa ky premtim i Gates, duket të jetë një nga dhuratat më të mëdha filantropike të bëra ndonjëherë.
Është bërë e ditur se dhurimi do të bëhet me kalimin e kohës duke lejuar fondacionin të shpenzojë 200 miliardë dollarë shtesë gjatë 20 viteve të ardhshme.
“Është një ndjenjë e veçantë që të kesh kaq shumë për të investuar në këto kauza,” është shprehur Gates, gjatë një intervistë të dhënë për Associated Press.
Ndërkohë, njoftimi tij sinjalizon një premtim për mbështetje të vazhdueshme për shumë kauza, veçanërisht shëndetin global dhe arsimin në ShBA. Gjatë intervistës Gates poashtu është shprehur se shpenzimi i pasurisë së tij do të ndihmojë në shpëtimin dhe përmirësimin e shumë jetëve tani, gjë që do të ketë efekte pozitive edhe shumë kohë pas mbylljes së fondacionit.
Fondacioni Gates ka qenë prej kohësh i pakrahasueshëm midis fondacioneve – duke tërhequr mbështetës dhe kritikë, por edhe shumë teori konspiracioni të pabaza. Dihet se, përveç 100 miliardë dollarëve që janë shpenzuar që nga themelimi i tij 25 vjet më parë, nga fondacioni janë drejtuar shumë kërkime shkencore, është ndihmuar në zhvillimin e teknologjive të reja dhe janë krijuar partneritete afatgjata me vende dhe kompani.
Ky fondancion është themeluar nga Bill Gates dhe Melinda French Gates në vitin 2000, ndërsa luan një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave globale të shëndetit dhe ka krijuar një vend të veçantë duke bashkëpunuar me kompanitë për të ulur koston e trajtimeve mjekësore në mënyrë që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të mund t’i përballojnë ato.