Me finalen e Ligës së Kampionëve, e cila do t’i vë përballë Interin dhe Paris Saint-Germainin në Munich të Gjermanisë më 31 maj, mund të nisë të flitet edhe për mirënjohjen më të madhe individuale për futbollist, Topin e Artë.
Super-sfida e “Allianz Arenas” mund të zbardhë gjithçka sa i përket këtij trofeu prestigjioz, krahas titullit të kampionit evropian.
Deri tash, pjesa më e madhe e lojtarëve të mëdhenj janë eliminuar nga Championsi: po flasim për Erling Haaland, Vinicius Junior, Kylian Mbappé, Harry Kane e Mohamed Salah, i cili e kishte një tjetër sezon të jashtëzakonshëm në Angli me Liverpoolin.
Dhe së fundmi edhe Robert Lewandowski, Lamine Yamal e Raphinha, ndonëse ky i fundit e pati një sezon të jashtëzakonshëm dhe prej protagonisti në Ligën e Kampionëve.
Dhe kështu, duke e pasur parasysh se në këtë verë nuk do të kemi Kampionat Evropian apo Botëror, është ngushtuar dukshëm, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Duke e parë Ligën e Kampionëve si faktor të rëndësishëm dhe përcaktues, kanë mbetur tashmë disa super-favoritë.
Lautari Martinez pa dyshim është njëri prej tyre.
Vendimtar ndaj Bayern Munichut në çerekfinale, vendimtar edhe në gjysmëfinale ndaj Barcelonës, por mund të jetë edhe në finale…
Sot për sot, ai i ka realizuar 22 gola dhe i ka bërë 7 asistime në të gjitha garat.
Përpara, në Bavari, ai do ta ketë favoritin tjetër të madh të këtij viti, Gigio Donnarumma, i cili me pritjet e tij të muajve të fundit e ndihmoi PSG-në që të shkojë në finale dhe ia mundësoi ekipit të Luis Enriques ta kërkojë trofeun e parë të Championsit në histori.
Është e mundshme që kush e fiton duelin mes tyre, direkt dhe të skuadrave përkatëse, në fund mund të triumfojë edhe në garën për Topin e Artë.
Natyrisht, nuk duhet ta harrojmë një “outsider” që quhet Ousmane Dembele: u inkuadrua mbrëmë në pjesën e dytë në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale kundër Arsenalit pas golit që e kishte shënuar në lojën e parë në Londër, ndërsa në përgjithësi e kishte një sezon për mbamendje.
Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit dhe i Barcelonës ka numra të jashtëzakonshëm: 33 gola e 13 asistime, po ashtu kandidat serioz për Top të Artë.
Natyrisht, përkundër eliminimit nga Championsi, aty, në garë janë edhe Raphinha e Lamine Yamal, mbi të gjitha nëse e fitojnë La Ligan, pasi triumfuan në Kupën dhe Superkupën e Spanjës. /Gazeta Express