Rezoluta më e fundit e Parlamentit Evropian për Serbinë përfaqëson një ndër qëndrimet më të qarta dhe më të drejtpërdrejta që ka mbajtur ndonjëherë Brukseli ndaj sjelljes së Beogradit karshi pakicave kombëtare. Kështu thotë sh-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi në një reagim në Facebook.
Sipas Mustafit, ajo e zbërthen me fakte dhe gjuhë të prerë realitetin që pakicat, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës, e jetojnë çdo ditë: të drejta të kufizuara, përfaqësim formal e të kontrolluar nga qeveria dhe mungesë të kushteve elementare për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor.
“Ky dokument nuk është vetëm një vërejtje politike, por një kambanë alarmi që kërkon zbatim të menjëhershëm të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe demokraci reale”, thotë Mustafi.
Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë të fortë për Serbinë, duke i kërkuar autoriteteve serbe që të ndalojnë menjëherë diskriminimin ndaj pakicave kombëtare, përfshirë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Mustafi ee quajti këtë rezolutë “një kambanë alarmi që nuk mund të injorohet më”, duke shtuar se “Evropa po ia thotë troç Beogradit: mjaft me fasadën e të drejtave të pakicave”.
Në rezolutë theksohet se mbrojtja që Serbia pretendon se u ofron pakicave është vetëm formale dhe se përfaqësimi i tyre është “nën kontrollin e qeverisë”. Sipas Mustafit, kjo përfaqëson një “tallje me demokracinë”.
“PE dënon abuzimin e identiteteve kombëtare për të mbjellë përçarje dhe gjuhën e urrejtjes kundër pakicave. Sikurse, vonesa e Serbisë në hartimin e planit për të drejtat e pakicave tregon mungesë vullneti.
Përderisa në pikën 46 thekson mungesën e sigurimit e përfaqësimit të plotë të pakicave në të gjitha nivelet e qeverisjes, ruajtjen e identitetit kulturor përmes përdorimit të gjuhëve përkatëse dhe plotësimit të nevojave arsimore, si dhe garantimin e lirisë së shprehjes dhe qasjes në informacion”, ka shkruar Mustafi.
Ai shton se në pikën 38, PE kërkon “qasje të barabartë në media për të gjitha komunitetet” dhe i bën thirrje autoriteteve serbe “të zgjerojnë disponueshmërinë e shërbimeve të transmetimit publik në të gjitha gjuhët e pakicave në të gjithë vendin”.
Mustafi e mbyll reagimin e tij me një thirrje të qartë: “Serbia duhet të zbatojë urgjentisht rekomandimet e PE! Sidomos, të drejta të plota për shqiptarët dhe pakicat e tjera!”.