string(111) "promovimi-i-euro-u-17-ne-tirane-presidenti-duka-shijojeni-europianin-ne-shqiperi-dhe-mbeshtesni-kombetaren-tone"

Futboll

Gazeta Express

08/05/2025 9:13

Promovimi i Euro U-17 në Tiranë, Presidenti Duka: Shijojeni Europianin në Shqipëri dhe mbështesni Kombëtaren tonë

Futboll

Gazeta Express

08/05/2025 9:13

Federata e Futbollit organizoi pasditen e të mërkurës eventin e radhës promovues në kuadër të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe mblodhi së bashku dashamirës të futbollit, qytetarë të Tiranës, vullnetarë të angazhuar dhe fëmijë nga ekipet e moshave, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe elektrizuese për këtë ngjarje të rëndësishme që i jep Shqipërisë një rol qendror në arenën ndërkombëtare të futbollit për të rinj.

Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ambasadorja e Kampionatit Europian U-17, Valbona Selimllari, ish-futbollisti i Kombëtares dhe aktualisht lojtar i Vllaznisë, Bekim Balaj, trajneri i Kombëtares, Silvinjo, si edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka, u shpreh se organizimi i Kampionatit Europian U-17 në Shqipëri është një moment historik për futbollin shqiptar dhe një dëshmi e aftësive organizative të vendit dhe Federatës së Futbollit.

Ai theksoi emocionin dhe kënaqësinë që ky aktivitet sjell për të gjithë, duke vënë në pah përfshirjen e fëmijëve, të rinjve, yjeve të futbollit dhe skuadrës Kombëtare, e cila merr pjesë për herë të parë në një event të tillë.

Presidenti Duka i falënderoi të gjithë ata që kontribuan në përgatitjen e infrastrukturës sportive, shprehu bindjen se mikpritja shqiptare do të lërë mbresa të mira tek të gjithë pjesëmarrësit dhe i uroi sa më shumë suksese ekipit Kombëtar në Kampionatin Europian.

“Është një emocion shumë i veçantë, kënaqësi dhe lumturi për mua që t’ju shoh në këtë fushë të FSHF-së. Në një fushë që vërtetë e kishim ëndërruar, të shoh të shkuarën e futbollit shqiptar, të tashmen dhe të ardhmen. Të shoh yjet e futbollit shqiptar, të cilët padyshim shprehin kënaqësinë e tyre për këtë event madhor për Shqipërinë.

Shoh dhe perspektivën e futbollit, gjithë këta fëmijë që kanë mbushur fushën. Sot, në një lloj mënyre, ne fillojmë zyrtarisht këtë aktivitet të rëndësishëm, Kampionatin Europian U-17. Një event shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, një event i cili konfirmon edhe njëherë aftësitë organizative të Shqipërisë, aftësitë organizative të futbollit shqiptar, konfirmon besimin që kanë institucionet europiane tek eksperienca jonë dhe ekspertiza jonë për të organizuar evente madhore.

Ky nuk është thjesht një kampionat futbolli, është një mundësi për të shprehur talentin e tyre të gjithë të rinjtë që do të marrin pjesë në të, për të shprehur emocionin e tyre dhe pse jo, për të krijuar miqësi ndërkombëtare përtej kufijve të tyre, të 7 skuadrat që do të marrin pjesë, që do t’i bashkohen skuadrës sonë Kombëtare, e cila për herë të parë në histori merr pjesë në një event të tillë.

Për të arritur organizimin e tij, për ne si Federatë, mund të themi e mesme apo modeste, është dashur një punë shumë voluminoze për të përgatitur katër stadiumet që tashmë janë gati; “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Arena Egnatia”, “Niko Dovana”, 10 fusha stërvitjeje, të cilat për ne vërtetë përbëjnë një punë voluminoze. Për këtë unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur përgatitjen e kësaj infrastrukture, dhe tashmë jemi vërtetë në momentin e duhur, perfekt për ta filluar këtë Europian.

Jam shumë i sigurt që të gjithë futbollistët e rinj që do të vijnë në këtë Europian, zyrtarët që do të marrin pjesë, vëzhguesit e tyre, tifozët që do ta ndjekin, do të mbeten të kënaqur nga mikpritja shqiptare. Do të mbesë në memorien e tyre tradita jonë e mikpritjes dhe do të vijnë përsëri. Unë u uroj gjithë futbollistëve që do të vijnë që të kënaqen vërtetë, ju uroj të gjithë juve që ta shijoni Europianin në Shqipëri, ta mbështesni atë dhe të gjithë bashkë të kemi ngjarje të tjera akoma më të bukura në të ardhmen.

I uroj shumë suksese ekipit tonë Kombëtar në këtë Europian, megjithëse të shtatë kundërshtarët janë vërtetë nga më të mëdhenjtë e Europës. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe urime të gjithëve”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.