Në një lëvizje të papritur, Microsoft ka njoftuar se do të heqë një nga funksionet më të përdorura të aplikacionit Microsoft Authenticator, një vendim që sinjalizon fundin e epokës së fjalëkalimeve tradicionale.
Microsoft Authenticator, një aplikacion falas i shkarkuar nga mbi 75 milionë përdorues, ndihmon në sigurimin e llogarive online duke shtuar një shtresë shtesë autentikimi, si dhe ofronte ruajtje dhe plotësim automatik të fjalëkalimeve. Por, kjo veçori po shkon drejt përfundimit.
Çfarë po ndryshon?
Nga 1 qershori 2025: përdoruesit nuk do të mund të ruajnë më fjalëkalime të reja në aplikacionin Authenticator.
Nga korriku 2025: funksioni që lejon plotësimin automatik të fjalëkalimeve të ruajtura do të ndalet.
Nga gushti 2025: të gjitha fjalëkalimet e ruajtura nuk do të jenë më të qasshme përmes aplikacionit.
Pse po ndodh kjo?
Microsoft po e zhvendos të gjithë menaxhimin e fjalëkalimeve dhe autofill-it në shfletuesin Edge, si pjesë e një strategjie për të eliminuar fjalëkalimet tradicionale dhe për të adoptuar teknologjinë më të re të sigurisë: passkeys.
Po çfarë janë passkeys?
Passkeys janë teknologji pa fjalëkalime, rezistente ndaj sulmeve phishing, që përdorin çelësa kriptografikë të ruajtur në pajisjen e përdoruesit dhe autentikohen përmes biometrisë – si gjurmë gishti, skanim i fytyrës, ose një PIN të thjeshtë.
A do të humbasin përdoruesit fjalëkalimet ekzistuese?
Jo. Microsoft ka sqaruar se fjalëkalimet e ruajtura në Authenticator do të sinkronizohen me llogarinë Microsoft dhe do të jenë të qasshme përmes shfletuesit Edge.
Reagimet e përdoruesve
Lajmi ka shkaktuar zemërim te shumë përdorues që akuzojnë Microsoft për detyrim të përdorimit të Edge dhe për heqjen e zgjedhjes së lirë. Komentet në rrjete sociale përfshijnë:
“Microsoft po më detyron të përdor Edge vetëm për të menaxhuar fjalëkalimet. Pse të mos kemi zgjedhje?”
“Po më thotë të futem në aplikacionin Authenticator për të marrë kodin, por për të hyrë në të, më duhet kodi. Jam në një cikël pa fund.”
Largimi nga Chrome?
Ky veprim shihet gjithashtu si një përpjekje për të larguar përdoruesit nga Google Chrome, që mban rreth 66% të tregut të shfletuesve, krahasuar me vetëm 6% që ka Edge.
Në dhjetor, Microsoft mbylli gjithashtu shtesën Microsoft Autofill për Chrome, duke hequr mundësinë që përdoruesit e Authenticator të sinkronizonin fjalëkalimet me Chrome.
Microsoft nuk ka konfirmuar nëse Authenticator do të mbështesë ndonjë shfletues tjetër përveç Edge pasi funksioni i fjalëkalimeve të ndërpritet në gusht 2025. /GazetaExpress/