Pas polemikave të shumta që pasuan eliminimin dramatik të Barcelonës nga Interi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, ka reaguar edhe gjyqtari kryesor i ndeshjes, Szymon Marciniak.
Deklarata e tij ka ardhur si përgjigje ndaj komenteve kritike nga trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, dhe disa lojtarë të skuadrës katalanase, të cilët akuzuan arbitrin për vendime të dyshimta gjatë ndeshjes — veçanërisht për mosakordimin e një penalltie ndaj Lamine Yamal, në një ndërhyrje që ndodhi mbi vijën e zonës së penalltisë.
Marciniak nuk e kurseu gjuhën, duke thënë: “Komentet e bëra nga Flick dhe lojtarët e tij janë të pabesueshme. Çfarë mund të them për komentet e tyre të pafund? Unë nuk dëmtova askënd.”
Gjyqtari polak, i njohur për drejtimin e disa prej ndeshjeve më të mëdha në futbollin evropian dhe botëror, mbrojti vendimet e tij, duke refuzuar çdo përgjegjësi për rezultatin e ndeshjes apo ndikimin e tij në rrjedhën e saj.
Ky reagim ka ndarë opinionin sportiv: një pjesë e tifozëve dhe analistëve ndajnë bindjen se Barcelona u dënua nga një vendim i gabuar, ndërsa të tjerë besojnë se fajësimi i arbitrit është thjesht një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë.