Skuadra e Shkëndijës ka siguruar zyrtarisht titullin kampion të Maqedonisë së Veriut për sezonin 2024/2025, pas fitores së sotme ndaj Rabotnickit.
Me këtë triumf, ekipi shqiptar nga Tetova e mbylli garën edhe matematikisht, duke u shpallur kampion disa xhiro para fundit të sezonit.
Ky është titulli i pestë në histori për Shkëndijën – një sukses tjetër madhor për klubin që prej vitesh është ndër më të organizuarit në futbollin maqedonas.
Krahas trofeut të rëndësishëm, ky sukses i garanton Shkëndijës edhe pjesëmarrjen në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, ku do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në arenën ndërkombëtare.