string(101) "urdhri-per-drejtuesit-e-policise-mobilizim-maksimal-per-zgjedhje-asnje-tolerim-ndaj-krimeve-zgjedhore"

Shqiperi

Gazeta Express

07/05/2025 15:40

Urdhri për drejtuesit e policisë: Mobilizim maksimal për zgjedhje, asnjë tolerim ndaj krimeve zgjedhore

Shqiperi

Gazeta Express

07/05/2025 15:40

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka zhvilluar një takim të posaçëm me drejtuesit e policisë në rang vendi, ku theksoi domosdoshmërinë e angazhimit maksimal dhe paanshmërisë në garantimin e rendit dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ai i kërkoi strukturave që të jenë vigjilente, të veprojnë në kohë ndaj çdo sinjali për krime zgjedhore dhe të mbajnë qëndrim të baraslarguar nga subjektet politike.

“Jemi përpara disa sfidave shumë të rëndësishme për imazhin e vendit, ndaj kërkoj nga gjithsecili, më shumë angazhim dhe përkushtim, që këto sfida t’i përballojmë me sukses dhe të përligjim besimin që qytetarët kanë te Policia e Shtetit.

Zbatoni ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke qëndruar të baraslarguar nga subjektet politike, si deri tani. Reagoni në kohë dhe me profesionalizëm, mos neglizhoni asnjë konflikt, sado i vogël apo i parëndësishëm qoftë në dukje, ndiqni në dinamikë çdo shqetësim të adresuar nga qytetarët apo nga përfaqësues të subjekteve politike dhe trajtojini ato ligjërisht, në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.

Punoni me inteligjencë policore, për të parandaluar dhe goditur krimet elektorale. Strukturat e Policisë të vijojnë monitorimin intensiv të rrjeteve sociale, për evidentuar shkeljet ligjore që cenojnë procesin zgjedhor dhe të identifikojnë shtetasit përgjegjës”-tha Proda.