Personat që marrin vaksinën kundër herpes zoster kanë 26% më pak gjasa të pësojnë sulm në zemër, dështim të zemrës apo goditje në tru, sugjeron një studim.
Ekspertët nga Koreja e Jugut zbuluan këtë efekt pasi analizuan të dhëna nga mbi një milion pacientë dhe gjetën se mbrojtja mund të zgjasë deri në tetë vite.
Gjithashtu u vu re se efekti mbrojtës ishte më i fortë tek meshkujt, personat që u vaksinuan nën moshën 60 vjeç dhe ata me stil jete të pashëndetshëm, të cilët janë më të rrezikuar nga sëmundjet serioze kardiovaskulare.
Herpes zoster është një infeksion i dhimbshëm i nervave dhe lëkurës, i shkaktuar nga i njëjti virus që shkakton linë e dhenve (varicelën). Ai aktivizohet kur virusi i mbetur nga një infeksion i mëparshëm riaktivizohet në trup, shpesh vite më vonë.
Shumica e njerëzve nuk janë në rrezik serioz, por për të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët (si ata me kancer), ky infeksion mund të jetë vdekjeprurës. Për këtë arsye, në Mbretërinë e Bashkuar u ofrohet vaksina kundër herpes zosterit grupeve të caktuara për të reduktuar rrezikun e komplikimeve.
Por studimi i ri sugjeron se ka edhe përfitime shtesë për shëndetin.
Në studim, ekspertët nga Kyung Hee University College of Medicine analizuan të dhënat shëndetësore të gati 1.3 milionë personave në Korenë e Jugut, me një moshë mesatare prej 61 vjeç. Gjysma e tyre kishte marrë vaksinën, ndërsa pjesa tjetër jo.
Ata krahasuan historinë e vaksinimit me të dhënat për probleme kardiovaskulare deri në 12 vite më pas, duke marrë parasysh faktorë si mosha, gjendja ekonomike dhe zakonet e jetesës (si konsumimi i alkoolit dhe duhanit).
Autorët zbuluan se personat e vaksinuar kishin 23% më pak gjasa të përjetonin probleme kardiovaskulare në përgjithësi.
Më konkretisht, vaksina u lidh me 26% më pak rrezik për raste të rënda si goditje në tru, sulm në zemër dhe dështim të zemrës.
Po ashtu, personat e vaksinuar kishin 22% më pak rrezik për sëmundje koronare të zemrës – një gjendje kur arteriet ngushtohen për shkak të akumulimit të materialeve yndyrore (pllakave).
Autori kryesor i studimit, profesori Dong Keon Yon, tha se vaksina mund të ndihmojë në mbrojtjen e trupit nga dëmet që shkakton infeksioni i herpes zosterit.
“Një infeksion me herpes zoster mund të dëmtojë enët e gjakut, të shkaktojë inflamacion dhe formim të mpiksjeve që mund të çojnë në sëmundje të zemrës,” tha ai.
“Duke parandaluar herpes zosterin, vaksina mund të ulë këto rreziqe.”
Ai shtoi se mbrojtja ishte më e fortë te njerëzit më të rinj, ndoshta për shkak të imunitetit më të fuqishëm. Efekti ishte gjithashtu më i theksuar te meshkujt, çka mund të nënkuptojë se vaksina funksionon më mirë te burrat sesa te gratë.
Gjetjet u publikuan në European Heart Journal. Sipas studimit, vaksina kishte efektin më të fortë në 2–3 vitet e para, por ndikimi pozitiv zgjaste deri në tetë vite.
Profesori Yon theksoi forcën e studimit falë numrit të madh të pjesëmarrësve dhe marrjes në konsideratë të faktorëve si pasuria dhe historia shëndetësore që mund të ndikojnë në rezultatet.
Megjithatë, ai pranoi edhe kufizime.
“Pasi ky studim bazohet në një popullatë aziatike, rezultatet mund të mos vlejnë për të gjitha popullsitë,” tha ai.
Një tjetër kufizim është se studimi shqyrtoi vetëm një version të vaksinës që përdor një virus të gjallë, por të dobësuar. Ky version po zëvendësohet në shumë vende me një vaksinë të re që jepet në dy doza brenda 12 muajve dhe që përmban vetëm një pjesë të virusit.
Në Angli, vaksina e vjetër u hoq nga përdorimi në shtator 2023 dhe u zëvendësua me versionin e ri.
Profesori Yon tha se ekipi i tij planifikon një tjetër studim për të zbuluar nëse vaksina e re ka të njëjtin efekt mbrojtës.
Aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar, vaksina kundër herpes zoster ofrohet për të gjithë të rriturit nga mosha 65 deri në 79 vjeç. Gjithashtu u ofrohet edhe personave mbi 50 vjeç me sistem imunitar shumë të dobësuar.
Të dhënat zyrtare deri në janar të këtij viti tregojnë se vetëm një në gjashtë 65-vjeçarë të kualifikuar në Angli kanë marrë dozën e parë të vaksinës së re.
Edhe pse zakonisht është një sëmundje e lehtë, herpes zoster mund të shkaktojë ndërlikime serioze si pneumoni, inflamacion të trurit ose të cipës që e rrethon.
Këto komplikime serioze mund ta bëjnë sëmundjen vdekjeprurëse, me rreth një në çdo 1,000 pacientë mbi 70 vjeç që humbin jetën pas infektimit. /GazetaExpress/