Procesi i zgjedhjes së një Pape të ri do të nisë të mërkurën nga kardinalët në Kapelën Sistine.
Por si funksionon konklava dhe kush merr pjesë?
Në Kapelë do të hyjnë anëtarët e lartë të klerit katolik të njohur ndryshe si “princat e kishës”, kardinalët. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë vetëm ata nën moshën 80 vjeçare, dhe tanimë është bërë e ditur nga Vatikani se 133 veçse kanë arritur në Romë.
Më shumë se 50 nga zgjedhësit kardinalë janë evropianë, me Italinë që dominon. Dhjetë prej tyre janë nga ShBA-ja, 23 nga Azia, 21 nga Amerika Qendrore dhe Jugore dhe 18 nga Afrika.
Çfarë bëjnë ata në nisje të konklavës?
Të veshur me të kuqe të ndezur, kardinalët nisen nga rezidenca e tyre në Casa Santa Marta për në Kapelën Sistine. Ata do të dorëzojnë telefonat e tyre, ndërsa dihet se kapela është kontrolluar tashmë për përgjues dhe pajisje bllokimi të instaluara. Secili nga pjesëmarrësit do të bëjë një betim sekreti.
Më pas, mjeshtri i festimeve liturgjike pontifikale thërret “extra omnes” – të gjithë jashtë, kështu të gjithë të pranishmit përveç zgjedhësve kardinalë dhe një numri të vogël zyrtarësh dhe mjekësh largohen dhe dyert mbyllen. Atëherë, kardinalët do të fillojnë të votojnë për të zgjedhur papën e ri.
Si funksionon sistemi i votimit?
Çdo kardinali do t’i caktohet një tavolinë, mbi të cilën ndodhet një stilolaps dhe një grumbull fletësh votimi me fjalët Eligo in summum pontificem (Unë zgjedh si papë suprem) të shtypura në krye. Ata shkruajnë emrin e tyre të preferuar, e palosin letrën përgjysmë dhe e vendosin në një enë bronzi.
Më pas, çdo ditë, tre inspektorë zgjidhen me short nga numri i tyre dhe tre infermierë që mbledhin fletëvotime nga kardinalët që mund të jenë shumë të sëmurë për t’u paraqitur në Kapelën Sistine, poashtu zgjidhen tre revizorë.
Tutje, numërohen dhe rinumërohen fletët e votimit para se të shpohen me gjilpërë mbi fjalën ‘Eligo’ dhe të lidhen në tufë. Këto fletë më pas futen të digjen në një sobë, nëse nuk ka rezultat shtohen kimikate për ta bërë tymin e zi, e nëse ka një kandidat të suksesshëm kimikatet e kthejnë këtë tym në të bardhë.
Ky tym kalon përmes një oxhaku që çon të një oxhak tjetër i instaluar në çati. Dihet se Zjarrëfikësit e Vatikanit janë në gatishmëri.
Kur nga ky oxhak del tym i bardhë, atëherë bien këmbanat dhe sinjalizohet turma se tashmë ka një papë, me fjalët ‘habemus papam’
Çfarë ndodh me papën e ri?
Tutje, dekani i Kolegjit të Kardinalëve e pyet të zgjedhurin: “A e pranon zgjedhjen tënde kanonike si papë suprem?” Nëse ai pranon, ai duhet të vendosë emrin e tij papnor dhe kardinalët do të zotohen për bindje ndaj papës së ri.
Më pas, ai dërgohet në Dhomën e Lotëve ngjitur, ku do të ndërrojë veshjen e tij të kuqe të kardinalit me një rrobë të bardhë papale. Zakonisht rroba të vogla, të mesme dhe të mëdha përgatiten paraprakisht. Këtë herë mendohet se Vatikani po riciklon rrobat e bëra për zgjedhjet e mëparshme.
Si përfundim, Papa i ri paraqitet në ballkonin kryesor të Bazilikës së Shën Pjetrit për të përshëndetur turmat.
Sa zgjatë konklava?
Ky proces mund të zgjasë nga disa orë deri në javë. Dihet se konklava më e gjatë në histori, në shekullin e 13-të, ka zgjatur dy vjet e nëntë muaj. Ndërkohë, që nga fillimi i shekullit të 20-të, shumica e konklavave kanë zgjatur dy ose tre ditë.
Nëse asnjë kandidat nuk arrinë të sigurojë shumicën prej dy të tretash pas 13 ditësh votimi, zhvillohet një balotazh midis dy kandidatëve kryesorë – por për t’u bërë papë sërish janë të nevojshme dy të tretat e votave të kardinalëve.
Përkthyer nga The Guardian