Pas lojës spektakolare në sfidën e parë, Interi dhe Barcelona do ta zhvillojnë sonte duelin e dytë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.
Ekipet barazuan 3:3 në Kataluni të mërkurën e kaluar, ndërsa sonte stadiumi San Siro do ta rezervojë një tjetër spektakël.
Italianët ishin duke avancuar 2:0 në stadiumin Lluis Companys Olympic, por më pas katalunasit u rikthyen dhe gjithçka mbeti e hapur për lojën e kthimit.
E sonte, të dy ekipet shihen me gjasa thuajse të barabarta për ta prekur finalen e madhe, shkruan “Gazeta Express”.
Interi dhe Barça do të kenë probleme me mungesa, ndërsa dy skuadrat kanë dyshime nëse do t’i angazhojnë sulmuesit kryesorë apo jo.
Derisa Robert Leëandoëski pritet të qëndrojë në bankinë, Lautaro Martinez ka gjasa të startojë.
Katalunasit do të jenë të hendikepuar pa dyshen e mbrojtjes Balde e Kounde, ndërsa “Nerazzurri” s’do të mundë të llogarisin në mbrojtësin Pavard.
Trajneri Hansi Flick është i vetëdijshëm me atë çka e pret ekipin e tij sonte në qytetin e Milanos.
“Interi është i fuqishëm, një ekip me mjaft eksperiencë, ata po e dashurojnë lojën e futbollit.”
“Ne tashmë i kemi fituar dy trofe në këtë sezon. Të gjithë lojtarët janë përmirësuar dhe janë rritur. Ne tash jemi në gjysmëfinale të Championsit dhe duhet ta shijojmë këtë moment dhe këtë arritje. Duhet ta shijojmë lojën me njëri-tjetrin dhe t’ua demonstrojmë të gjithëve se sa të mirë jemi.”
“Kur e nisëm sezonin, askush s’ia kishte idenë se çka do të arrinim. Ne duam ta shijojmë lojën e futbollit dhe duam që t’i kënaqim tifozët tanë”.
Nga ana tjetër, trajneri Simone Inzaghi shprehet optimist para kësaj ndeshjeje pasi po mundohet t’i dërgojë Zikaltrit në finalen e madhe.
Natyrisht, ai ka respekt të madh për kundërshtarin.
“Ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ne do të kemi nevojë për një lojë të madhe kundër një ekipi mjaft të fortë, të cilin e pamë nga dora e parë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Grupi beson në veten, ata e duan finalen dhe po e presim me padurim këtë ndeshje.”
Interi, finalist i vitit 2023, ishte shpallur kampion i Evropës për herë të tretë në vitin 2010 pasi e kishte eliminuar Barcelonën në gjysmëfinalen e paharrueshme të atij viti.
Ndërkohë, gjiganti katalunas, e cila për herë të fundit kishte përfunduar në gjysmëfinale të Championsit në vitin 2019, po e kërkon finalen e parë që nga viti 2015, kur e kishte fituar këtë trofe.
Në përgjithësi, në 13 përballjes mes tyre, Interi ka fituar 2 herë, Barcelona 6 herë, ndërsa 5 ndeshje kanë përfunduar baras.
Interi i ka realizuar 13 gola, kurse Barcelona 20, në duelet mes tyre.
Ndeshja mes Interit dhe Barcelonës do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00. /Gazeta Express