Avokati Yll Zekaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se priten rreth 90 mijë padi si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat e nëpunësve publikë.
Ai tha se është instaluar një kulturë që qytetari i Republikës së Kosovës, nuk ka mundësi që të realizojë të drejtën e vet, pa iu drejtuar gjykatës.
“Domethënë, asnjëherë nuk e marrin barrën e përgjegjësisë, të gjithë ata të cilët aprovojnë një ligj, të cilët aprovojnë një kontratë kolektive, të cilët e nënshkruajnë një kontratë kolektive, nuk e marrin përgjegjësinë e zbatimit të së njëjtës”, shtoi Zekaj.
Sipas tij, kjo është shqetësuese për shkak se tanimë po kemi ngufatje të sistemit gjyqësor pasi qytetarët i drejtohen gjykatës për realizimin e të drejtës së tyre.
“Kjo ngufatje e sistemit gjyqësor po vjen pikërisht nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Në vend që të njëjtit të jenë lehtësues të sistemit gjyqësor, këto po e ngufasin të njëjtën”, tha tutje avokati Zekaj.
I njëjti theksoi se kanë qenë rreth 40-50 mijë padi për kontratën kolektive dhe se tani priten të jenë rreth 90 mijë padi për ndryshimin e Ligjit për pagat e nëpunësve publikë, i cili ka përgjysmuar shtesat të cilat kanë qenë të përcaktuara me Ligjin për nëpunësit civilë.
“Në momentin që kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, kjo duhet të jetë abc-ja e legjislativit, përkatësisht ekzekutivit për të zbatuar të njëjtën”, shtoi avokati Zekaj.
Sipas tij, në këtë rast, Kuvendi i Kosovës nuk e ka marrë as mundin ta diskutojë zbatimin e këtij aktgjykimi në kohën kur ka qenë funksional.
“Lëre më tani kur nuk e kemi funksional Kuvendin tjetër, nuk e dimë edhe sa do të zgjatë. Kurse, të drejtat e qytetarëve, të drejtat e nëpunësve publikë do të vazhdojnë të cenohen”, theksoi ai.
Sipas tij, nëse zyrtarët publikë është dashur t’i marrin 12 paga gjatë vitit, do t’i marrn 11-të për shkak të përgjysmimit të këtyre shtesave.
Zekaj tha se Kushtetuesja me të drejtë ka konstatuar në aktgjykim se Kuvendi kur e ka nxjerrë Ligjin nuk e ka arsyetuar qëllimin legjitim, pra arsyen e përgjysmimit të shtesës.
“Derisa të gjithë nëpunësit civilë i kanë pasur pritjet e tyre legjitime se një shtesë prej 0.5% do të vazhdojë, ta marrin në pagat e tyre”, tha Zekaj.
Ai shtoi se nuk mund të mos zbatohet kontrata kolektive që është nënshkruar, dhe se realizimi i tyre është pritje legjitime e qytetarëve. Tha se shteti ka dështuar në realizimin e këtyre shtesave dhe se ka mbetur të kërkohen përmes gjykatës, gjë që ka bërë të vërshohet gjyqësori me lëndë.
Në anën tjetër, Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) tha se përkundër asaj që vazhdimisht në Qeverinë e kaluar kishin bërë kërkesa për takim edhe me kryeparlamentarin edhe të tjerët, nuk janë realizuar ato takime. Njëjtë tha se ka ndodhur edhe me Ministrinë e Arsimit.
“Në Qeverinë e kaluar ka pasur një injorim total ndaj sindikatave, që në njëfarë forme janë munduar t’i zhbëjnë sindikatat, që thjesht e kanë ndërprerë edhe gjithë dialogun social me sindikatat, nuk kanë lejuar as mbajtjen e takimeve me sindikatën dhe t’i paraqesin kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe atë që nga përfundimi i grevës së vitit 2022 nuk kemi pasur kurrfarë takimi. Një takim të vetëm që e kemi pas me ministren e Arsimit është kur e kemi pasur nënkryetarin e sindikatës së mësuesve të amerikës në vizitë këtu tek ne, një takim formal sa për sy e faqe”, tha Shala. /BetimipërDrejtësi