Një mjek ligjor ka dhënë alarmin për rrezikun nga farmacitë e rreme online, pasi një burrë vdiq nga një mbidozë aksidentale e barnave që i kishte blerë në një faqe që dukej e ligjshme.
Christopher Brazil, nga Ceredigion në Uellsin perëndimor, kishte pësuar një aksident “disa kohë para vdekjes së tij”, që e kishte lënë me një dëmtim të dhimbshëm.
45-vjeçari gjithashtu vuante nga shiatiku – një gjendje e dhimbshme e shkaktuar nga acarimi i një nervi – si dhe nga depresioni, dhe më parë kishte kërkuar ndihmë nga mjeku i familjes për këto probleme.
Por z. Brazil porositi ilaçe shtesë online, përfshirë edhe benzodiazepina, një lloj qetësuesi, për të ndihmuar me dhimbjen dhe shëndetin e tij mendor që ndryshonte.
Ai arriti t’i blinte këto barna nga faqe të paligjshme që e paraqisnin veten si “farmaci të sigurta dhe të rregulluara online”, përfundoi mjekja ligjore Louisa Corcoran.
Në gusht 2022, vetëm disa muaj pasi kishte filluar të merrte benzodiazepina, ai vdiq nga një mbidozë e pavullnetshme, me barna që nuk ishin përshkruar nga mjeku i tij apo nga NHS-i.
Hetimet nga policia dhe Agjencia Rregullative për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (MHRA) zbuluan se këto barna ishin blerë nga z. Brazil nga dy ofrues të paligjshëm.
Në një Raport për Parandalimin e Vdekjeve në të Ardhmen, znj. Corcoran shkroi:
“Ka faqe interneti të parregulluara dhe të paligjshme që ofrojnë barna me recetë dhe droga të kontrolluara, të cilat duken legjitime dhe gjenden lehtësisht me kërkime të thjeshta në internet.
Z. Brazil po përballej me dhimbje fizike dhe çrregullime mendore dhe ishte i ndjeshëm ndaj këtij opsioni të paligjshëm, i cili ishte i shpejtë dhe lehtësisht i qasshëm.
Dëshmitë tregojnë se z. Brazil nuk ishte vetëvrasës, por ishte i shqetësuar për të menaxhuar dhimbjen dhe nuk ishte udhëzuar nga profesionistë shëndetësorë për sasinë dhe mënyrën e përdorimit të barnave.”
Prej kohësh, profesionistët e shëndetësisë kanë paralajmëruar për “farmacitë” mashtruese online që targetojnë pacientët e ndjeshëm, të cilët mund të kenë mungesë të barnave ose kanë nevojë për to me urgjencë.
Vitit e kaluar, ekspertët paralajmëruan për produkte false si Ozempic dhe barna për ADHD që shiteshin online, pa asnjë garanci se çfarë përmbanin vërtet.
Megjithëse janë dhënë shumë rekomandime për të ndaluar shpërndarjen e barnave me recetë dhe atyre të palejuara përmes internetit, mungesa e rregullimit ka bërë që barnat potencialisht fatale të mbesin të disponueshme.
Rregullatori i Farmacive në MB, General Pharmaceutical Council (GPhC), thotë se farmacitë e ligjshme online duhet të kenë logon e GPhC dhe numrin e regjistrimit – zakonisht i vendosur në faqen kryesore ose te seksioni “rreth nesh”.
Çdokush mund të kontrollojë nëse farmacia është legjitime duke futur numrin e regjistrimit në regjistrin e farmacive të GPhC-së në faqen e tyre zyrtare.
Në raportin e saj, znj. Corcoran theksoi se vdekja e z. Brazil ngre shqetësime serioze për këto faqe të paligjshme dhe të pakontrolluara që ofrojnë barna që kërkojnë recetë mjekësore.
Sipas raportit, barnat nga porosia e fundit e z. Brazil u dërguan ditën tjetër përmes Royal Mail.
Ai kishte arritur të blinte barna me recetë në mënyrë të rregullt nga ofrues të paligjshëm, dhe të dhënat nga urgjenca tregonin se në dy raste të veçanta — në shkurt dhe prill 2022 — ai kishte qenë “i dehur nga benzodiazepinat”.
Znj. Corcoran shtoi:
“Këto faqe i ekspozojnë njerëzit e ndjeshëm dhe të pambrojtur ndaj barna të falsifikuara ose të pasigurta. Ka verifikim të pamjaftueshëm të moshës dhe identitetit, duke lejuar potencialisht edhe të miturit të kenë qasje në barna të kufizuara.
Po ashtu, këto faqe nuk marrin parasysh historinë mjekësore të pacientëve dhe nuk ofrojnë udhëzime për të parandaluar vetë-diagnostikimin apo keqpërdorimin.”
Një kopje e raportit të saj u dërgua te Departamenti i Shëndetësisë, Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport, mjeku i familjes i z. Brazil, MHRA, dhe policia.
Të gjitha këto institucione “kanë fuqinë për të parandaluar vdekje të ngjashme në të ardhmen,” paralajmëroi znj. Corcoran.
Vitin e kaluar, një hetim zbuloi se disa “farmaci të tipit perëndimi i egër” online po shisnin doza fatale të barnave të varësisë, pa asnjë kontroll të duhur sigurie.
Hulumtimi i BBC-së tentoi të blinte tre lloje barnash të kufizuara — përfshirë analgjezikë, qetësues për gjumë dhe barnat kundër ankthit — nga faqe të ndryshme online.
Ata identifikuan 20 faqe që i ofronin këto barna pa miratim të GP-së.
Hulumtuesit siguruan 1,600 pilula me recetë, përfshirë një dozë potencialisht fatale të një barne kundër ankthit.
Blerësit mund t’i merrnin këto barna për vetëm disa minuta, pas plotësimit të një pyetësori online — një faqe madje e përshkroi procesin si “aq i lehtë sa të porosisësh ushqime online.”
Në vitin 2019, autoritetet shëndetësore i bënë thirrje mjekëve të ndalin përshkrimin e tepruar të benzodiazepinave, për shkak të rritjes së shqetësimeve për varësi dhe simptoma të forta të tërheqjes.
Benzot, përfshirë Valiumin, ishin prej dekadash ilaçi kryesor për pagjumësinë.
Por me kalimin e kohës, ato dolën nga përdorimi i zakonshëm për shkak të rreziqeve të varësisë dhe efekteve anësore të rënda. /GazetaExpress/